Komisioni për Çështje Normative
Kompetencat e Komisionit:
- Të shqyrtojë bazën juridike për aktet nënligjore dhe dokumentet tjera normative, para miratimit të tyre në Këshill, përkatësisht a janë në pajtueshmëri me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe rregulloret ekzistuese të Këshillit;
- Të analizojë dhe vlerësojë përshtatshmërinë e akteve nënligjore ekzistuese për funksionimin e Këshillit dhe prokurorive;
- Të shqyrtojë dhe përgatisë rekomandime për ndryshimin dhe plotësimin e rregulloreve, udhëzimeve administrative dhe dokumenteve të tjera para se dërgohen në Këshill për miratim;
- Të shqyrtoj çështjet që lidhen me metodologjinë dhe me teknikën unike të hartimit të akteve nënligjore;
- Të mbikëqyrë zbatimin e akteve nënligjore;
- Të shqyrtojë çështjet e tjera të përcaktuara me këtë Rregullore dhe çështjet të cilat me vendim të veçantë nga Këshilli, i barten këtij Komisioni;
- Të angazhojë ekspertë sipas nevojës, për çështje të caktuara në fushëveprimin e komisionit me miratimin e Këshillit;
- Të organizojë dëgjime publike për çështje të caktuara gjatë hartimit të akteve nënligjore;
- Komisioni kontakton me komisionet e tjera të Këshillit për t’i harmonizuar dhe unifikuar procedurat e punës dhe organizimit të tyre.
Kryesues i Komisionit për Çështje Normative është anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës – prokurori, Armend Zenelaj, ndërsa anëtar të këtij komisioni janë: prokurori në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Bahri Hyseni dhe prokurori në Prokurorinë Speciale të Republikë së Kosovës, Ilir Morina.
Komisioni për Buxhet, Financa dhe Personel
Kompetencat e Komisionit:
- mbështetë zhvillimin e politikave për planifikim dhe ekzekutim te buxhetit të KPK-së.
- mbështetë Divizionin për Buxhet dhe Financa në procesin e planifikimit buxhetor dhe arsyetimin e kërkesave buxhetore adresuar në Kuvendin e Kosovës.
- këshillon dhe mbështes Divizionin për Buxhet dhe Financa në zgjedhjen e instrumenteve dhe metodave për përcaktimin e standardeve për linjat ekonomike.
- rishikon propozimin e buxhetit vjetor dhe të paraqesë vërejtjet dhe rekomandimet;
- jep arsyetime dhe argumente në mbështetje të buxhetit vjetor për prezantim dhe mbrojtje përpara Kuvendit të Kosovës;
- raporton te KPK mbi ekzekutimin e buxhetit në baza të rregullta, dhe/ose sipas nevojave të veçanta;
- raporton te KPK mbi problemet e identifikuara gjatë ekzekutimit të buxhetit të cilat ndikojnë në funksionimin e prokurorive;
- komunikon me Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe Financa mbi çështjet buxhetore për KPK;
- funksionon si lidhje ndërmjet KPK-së dhe akterëve brenda dhe jashtë vendit, si Kuvendi i Kosovës, media dhe opinioni publik, mbi çështje të buxhetit;
- harton raporte për nevoja të brendshme të KPK-së dhe dokumente të tjera informative për publikim të jashtëm;
- përcjellë praktikat dhe standardet e planifikimit të buxhetit të shteteve të Bashkimit Evropian si dhe të përgatisë bazën për implementimin e praktikave më të mira, ashtu siç aplikohen, për KPK-në;
- mbështetë në vlerësimin e nevojave për trajnim të prokurorëve, zyrtarëve financiarë, dhe/ose stafit tjetër përkatës mbi çështje financiare dhe të propozojë programin e trajnimeve që i përmbush nevojat.
- shqyrton çështjet e tjera të përcaktuara me këtë Rregullore dhe çështjet të cilat me vendim të veçantë nga KPK, i barten këtij Komisioni;
- propozon ekspertë për çështje të caktuara në fushëveprimin e Komisionit me miratimin e KPK-së;
Kryesues i Komisionit për Buxhet, Financa dhe Personel është anëtarja e Këshillit Prokurorial të Kosovës – prokurorja, Ariana Shajkovci, ndërsa anëtarë të këtij komisioni janë: prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Haki Gecaj dhe nëtarja e Këshillit Prokurorial të Kosovës – prokurorja, Bedrie Syla-Alshiqi.
Komisioni për Administrimin e Prokurorive
Kompetencat e Komisionit:
- Përgatitjen dhe rekomandimin e politikave për administrim të prokurorive, përfshirë:
- menaxhimin e rrjedhës së lëndëve përfshirë menaxhimin përmes sistemit elektronik;
- menaxhimin e objekteve dhe pasurisë së prokurorive;
- qasjes së publikut në prokurori dhe ngritjes së efikasitetit të shërbimeve të administratës;
- unifikimin e praktikës së administratës në të gjitha prokuroritë e Kosovës, dhe
- vlerësimin periodik të ngarkesës me lëndë nëpër prokurori, nevojën për prokurorë dhe staf shtesë si dhe specializimin e tyre.
- Inspektimin e mbajtjes së regjistrave dhe evidencave në prokurori;
- Krijimin dhe bashkërendimin e programeve dhe projekteve që kanë për qëllim përmirësimin e administrimit të prokurorive;
- Mbikëqyrin dhe raportojnë në KPK për zbatimin e akteve normative, politikave dhe strategjive lidhur me administrimin e prokurorive;
- Rekomandime rreth aktiviteteve dhe kërkesave të Njësisë për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë dhe Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve;
- Me kërkesë të Këshillit, adreson çështje tjera lidhur me administrim të prokurorive;
- Komisioni ka të drejtë që me qëllim të administrimit të prokurorive të themelojë grupe punuese.
- Në punën e tij Komisioni bashkërendon punën edhe me komisionet e tjera të Këshillit për çështje të ndërlidhura.
Kryesues i Komisionit për Administrimin e Prokurorive është Zëvendëskryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës – prokurori Veton Shabani, ndërsa anëtar të këtij komisioni janë: zëvendëskryeprokurorja e Shtetit, Sevdije Morina dhe an♪tari i Këshillit Prokurorial të Kosovës – prokurori Jovo Radovic.
Komisioni për Vlerësimin të Performancës
Kompetencat e Komisionit:
- Komisioni ka kompetencë vlerësimin e përformancës së prokurorëve gjatë mandatit fillestar dhe vlerësimin e rregullt të prokurorëve, në bazë të procedurave të përcaktuara me ligj, këtë Rregullore dhe aktet e tjera të miratuara nga KPK.
- Në ushtrimin e aktiviteteve të tij, Komisioni do të ketë qasje në informatat, dosjet, lëndët dhe statistikat e plota të prokurorit që i nënshtrohet procesit të vlerësimit.
- Pas përfundimit të vlerësimit, Komisioni propozon notimin e prokurorit sipas niveleve: pamjaftueshëm, mjaftueshëm, mirë dhe shumë mirë.
- Komisioni nxjerr një raport përfundimtar me propozimin për vlerësim të prokurorit përkatës, raport që dorëzohet në KPK, jo më shumë se një muaj pas vlerësimit.
- KPK vendos për vlerësimin përfundimtar të prokurorëve.
Kryesues i Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve është anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës – prokurori, Ardian Hajdaraj, ndërsa anëtar të këtij komisioni janë: prokurori në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj dhe prokurori i Prokurorisë së Apelit, Enver Sokoli.
Kordinatori
Shqipdon Fazliu
Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, Shqipdon Fazliu, është emëruar në bazë të Udhëzimit Administrativ të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Misioni i tij është të promovojë, koordinojë, monitorojë, vlerësojë dhe raportojë aktivitetet e të gjitha institucioneve publike dhe private në lidhje me parandalimin, detektimin, hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin e krimeve që gjenerojnë dobi pasurore.
Z. Shqipdon Fazliu ka përfunduar Masterin Juridik - Penal në Universitetin "Wake Forest " në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës.
Z.Fazliu ka punuar si ekspert ligjor në Institutin ICON, ka udhëhequr zyrën në cilësinë e menaxherit ligjor në Projektin për të drejtat civile ( ish - Këshilli Norvegjez për Refugjatë).
Në vitin 2005, z. Fazliu është licencuar të ushtrojë profesionin për gjyqtar dhe prokuror, kurse nga viti 2010 ka punuar në Departamentin e Përgjithshëm në Prokurorinë Komunale në Gjilan.
Ai ka përvojë më shumë se 13-vjeçare në zbatimin e ligjit, me ç'rast është dalluar për performancë të shkëlqyeshme, kurse përvoja e tij relativisht e gjatë në organizata të ndryshme i ka shërbyer për analiza ligjore, interpretime ligjore etj.
Ai flet rrjedhshëm gjuhën angleze dhe serbe.
Këshilli ka komisionet e veta të përhershme si në vijim:
1. Komisioni për Çështje Normative;
2. Komisioni për Buxhet, Financa dhe Personel;
3. Komisioni për Administrimin e Prokurorive dhe
4. Komisioni për Vlerësim të Performancës së Prokurorëve.
Këshilli mund të themelojë edhe komisione të tjera të përkohshme ose të përhershme, sipas nevojës.