Prishtinë, 30 prill 2025 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Ardian Hajdaraj, priti sot në takim z. Klaus Decker, Specialist i Lartë i Sektorit Publik, dhe z. Ermal Vila, Specialist i Qeverisjes, përfaqësues të Bankës Botërore. Takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit në fushën e drejtësisë, me fokus të veçantë në mbështetje të hartimit të politikave të bazuara në dëshmi mbi performancën e sistemit të drejtësisë në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë diskutimeve, mes z. Hajdaraj, z. Decker dhe z. Vila, u theksua rëndësia e rritjes së njohurive dhe grumbullimit të të dhënave të besueshme mbi performancën gjyqësore, në funksion të forcimit të dialogut dhe politikave në drejtësi, në përputhje me procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Ky mision përfshin organizimin e një ankete të gjerë gjyqësore me pjesëmarrjen e shumë palëve të interesit, që pason një anketë të ngjashme të realizuar në vitin 2020.
Përfaqësuesit e Bankës Botërore, e njoftuan kryesuesin e Këshillit Porkurorial se kompania e angazhuar për implementimin e kësaj ankete është në përfundim të fazës pilot dhe së shpejti pritet të fillojë zbatimi i saj në shkallë të plotë.
Gjithashtu, ky takim kishte për qëllim konfirmimin e bashkëpunimit institucional dhe diskutimin e hapave të ardhshëm për realizimin e suksesshëm të këtij projekti të rëndësishëm.
Kryesuesi z. Hajdaraj theksoi se Këshilli Prokurorial i Kosovës mbetet i përkushtuar në mbështetjen e iniciativave që kontribuojnë në përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe forcimin e sundimit të ligjit në vend.