Prishtinë, 25 prill 2025 – Grupi Punues për hartimin e draftit të Udhëzimit Administrativ për caktimin e normës orientuese, i kryesuar nga prokurori në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Bahri Hyseni, mbajti sot takimin e radhës. Në përbërje të këtij grupi janë edhe anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Veton Shabani, Milot Krasniqi dhe Visar Krasniqi, si dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi.
Gjatë takimit u trajtuan çështjet kryesore që ndërlidhen me përcaktimin e normës orientuese vjetore për trajtimin e lëndëve në të gjitha departamentet e prokurorive të vendit. Anëtarët e grupit ofruan sugjerime adekuate dhe të pranueshme, me qëllim të përmirësimit të dispozitave ekzistuese dhe garantimit të një procesi sa më efikas të punës së prokurorëve të shtetit.
U theksua gjithashtu se puna në përgatitjen e draftit do të vazhdojë deri në finalizimin e tij të plotë, duke u mbështetur në standardet dhe praktikat më të mira vendore dhe ndërkombëtare.