Prishtinë, 6 nëntor 2024 – Në kuadër të takimeve dhe diskutimeve që ndërlidhen me forcimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të shoqërisë civile dhe mediave, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj, priti në takim përfaqësuesit e Rrjetit të Organizatave Joqeveritare, AVONET, të kryesuar nga Drejtori Ekzekutiv, Kenan Gashi.
Qëllimi i takimit ishte diskutimi i aspekteve të bashkëpunimit të ndërsjellë në mes të sistemit prokurorial dhe Rrjetit të OJQ-ve – AVONET, me synimin që ai të jetë në të ardhmen më i afërt dhe thelbësor.
Më këtë rast, z.Ardian Hajdaraj u zotua se do të angazhohet me vullnet dhe përkushtim për ngritjen e bashkëpunimit sa më të afërt më shoqërinë civile, përkatësisht me AVONET-in, si dhe do të ketë bashkëpunim të rregullt dhe të hapur me të gjitha OJQ-të e interesuara në vendin tonë. “Në kuadër të zbatimit të ligjit, mirëpres natyrshëm që OJQ-të e vendit të luajnë rolin e tyre të përcaktuar ligjor para publikut, duke qenë të pavarura, objektive dhe të paanshme në misionin e tyre”, tha z.Hajdaraj.
Ndërkaq, Drejtori Ekzekutiv i AVONET-it, z.Kenan Gashi, theksoi se ekzistojnë mundësi të mëdha për të përmirësuar bashkëpunimin e ndërsjellë në kuadër të sigurimit të transparencës publike dhe krijimit të një përfaqësimi më të gjerë për shoqërinë civile.
Takimi i sotëm u përmbyll me pajtimin që të ketë iniciativa më të shpeshta nga të dyja palët për t’i diskutuar çështjet me interes të përbashkët.