Këshilli Prokurorial i Kosovës

Share on

Facebook

Fjalimi i Kryesuesit të Këshillit Prokurorial në Konferencën Vjetore të Prokurorëve

I nderuari Kryeprokuror i Shtetit,

Të nderuar udhëheqës të institucioneve vendore,

Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të ambasadave të ndryshme, që veproni në Kosovë,

Të nderuar kolegë anëtarë të Këshillit, kryeprokurorë, prokurorë dhe të gjithë ju që jeni pjesë e sistemit prokurorial,

Të nderuar mysafirë,

Të nderuar media dhe shoqëri civile

Është kënaqësi e veçantë për mua që si Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës t’ju drejtohem me rastin e Konferencës Vjetore të Prokurorëve.

Nuk ka shumë kohë nga përfundimi i vitit paraprak, në të cilin së bashku kemi arritur rezultate, me të cilat mund të krenohemi, por edhe në vitin që filluam na presin sfida të shumta që duan vëmendjen tonë. Nga kjo perspektivë, për ne dhe tërë KPK-në, është një fillim i ri, ku na presin shumë detyra në avancimin e sistemit prokuorial, përmes aplikimit të standardeve më të larta në vendimmarrje.

Së bashku do të vazhdojmë të ngrisim nivelin e llogaridhënies, efikasitetit dhe cilësisë së punës në zgjidhjen e rasteve. Ky synim do të bëjë të mundur të kemi një sistem prokurorial me integritet, transparent dhe që gëzon besimin e publikut.

Do të punojmë së bashku edhe më tej, me të gjitha njësitë e Këshillit, me Sekretariatin, me Njësitin e Performancës së Prokurorisë dhe të gjithë partnerët tonë ndërkombëtarë dhe vendorë, në mënyrë që të arrijmë objektivat e planifikuara edhe për vitin që kemi filluar.

Ju siguroj se pjesë e këtyre planeve do të jenë forcimi i vazhdueshëm i integritetit të sistemit prokurorial përmes një sistemi të mirëfilltë të rekrutimit të prokurorëve, bazuar në meritë, vlerësimit të performancës së prokurorëve dhe vendimmarrjes proaktive, e cila siguron llogaridhënie dhe punë transparente, të mbështetur në ligj dhe në standarde ndërkombëtare.

Këshilli, në vitin që lamë pas, ka nxjerrë afro 200 vendime, të cilat kanë qenë në shërbim të sistemit prokurorial dhe me mbështetje të partnerëve ndërkombëtarë ka hartuar tri rregullore, që kanë të bëjnë me dosjen personale të prokurorëve, transferimin dhe avancimin e prokurorëve, menaxhimin e sistemit elektronik (SMIL) dhe ka finalizuar Planit strategjik dhe Planin e veprimit të sistemit prokurorial 2022-2024.

Përmes Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve, Këshilli, gjatë vitit 2021, ka finalizuar vlerësimin e performancës për 65 prokurorë, 53 prej tyre me mandat të përhershëm dhe 12 me mandat fillestar.

Pa dyshim, se në fokus do të jetë edhe trajtimi i rasteve disiplinore dhe ju siguroj që çfarëdo sjelljeje jokorrekte dhe e qortueshme do të trajtohet seriozisht dhe shkelësit do të ndëshkohen pa kursyer, duke mos lejuar të  zbehet besimi i publikut dhe njëkohësisht të ruhet imazhi i sistemit prokurorial. Në këtë drejtim, KPK-ja, vetëm në vitin 2021 ka trajtuar 14 kërkesa për fillim të procedurave disiplinore ndaj prokurorëve, duke themeluar panele hetimore dhe në bazë të gjetjeve të tyre janë shqiptuar edhe masat disiplinore në përputhje me Ligjin për përgjegjësinë disiplinore për prokurorë dhe gjyqtarë.

Në vazhdimësi kemi monitoruar dhe analizuar punët dhe nevojat e prokurorive, me ç’rast, me qëllim të ngritjes së efikasitetit dhe plotësimit me kapacitete profesionale, kemi avancuar 19 (nëntëmbëdhjetë) prokurorë të shtetit, në departamentet për krime të rënda dhe departamentet për të mitur, në të gjitha prokuroritë themelore, Prokurorinë Speciale, Prokurorinë e Apelit dhe në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, si dhe kemi transferuar njëkohësisht prokurorë nga një prokurori në prokurorinë tjetër.

Ndër prioritetet e Këshillit do të jetë edhe avancimi i statusit të prokurorëve dhe personelit administrativ, ndërsa do të promovohet më tutje dhe aplikohet pa kushte sistemi elektronik i menaxhimit të rasteve dhe digjitalizimi i proceseve të punës kudo në sistemin prokurorial.

Për të gjithë ata që përcjellin rrjedhat në sistemin prokurorial, nuk ka dyshim se duhet çmuar lart mbështetja e partnerëve tonë ndërkombëtarë, siç janë: Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, Ambasada e Norvegjisë, Ambasadën e Holandës Ambasada e Zvicrës, Ambasada Gjermane, Ambasada e Italisë dhe ambasadat e tjera, pastaj Zyra e BE-së në Prishtinë, EULEX-i, OSBE-ja, UNDP-ja dhe agjencitë e tjera të Kombeve të Bashkuara, Këshilli i Evropës, Fondacioni Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (IRZ), GIZ-i dhe institucione e organizata të tjera.

Këshilli, gjithashtu, ka vazhduar politikën e bashkëpunimit të hapur dhe profesional edhe me institucionet vendore, duke veçuar: Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Ministrinë e Drejtësisë, Akademinë e Drejtësisë, Kuvendin, Qeverinë, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Odën e Avokatëve, Avokatin e Popullit, Policinë e Kosovës dhe institucione të tjera  të zbatimit të ligjit.

KPK-ja ka avancuar sa i përket transparencës, me ç’rast vlen të theksohet se fillimi i publikimit të vlerësimit të përformansës dhe vendimet disiplinore të prokurorëve. Po ashtu, vlen të përmendet edhe Memorandumi i Mirëkuptimit në mes të KPK-së, CIVIKOS-it dhe KMSHK-së për ndërtimin e kapaciteteve dhe rrugëve të komunikimit për raportimin e rasteve të identifikuara nga mediat dhe shoqëria civile në prokurori.

Të nderuar kolegë prokurorë,

Që të kemi besimin e publikut në punën tonë, ne duhet të punojmë pa u ndaluar dhe të krijojmë një ambient, në të cilin të gjithë kanë qasje më të lehtë në drejtësi. Andaj, dëshiroj të përmend shkurtimisht disa nga prioritetet e Këshillit për këtë vit:

  • Fuqizimi i kornizës ligjore dhe strukturës organizative;
  • Forcimi i integritetit të sistemit prokurorial (prokurorëve dhe stafit);
  • Ngritja e nivelit të llogaridhënies, transparencës dhe kontrollit permanent të punës;
  • Zhvillimi i mëtejmë i sistemit të ngritjes në karrierë;
  • Bashkëpunimi dhe koordinimi me partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë dhe shumë prioritete të tjera.

Krejt në fund, ju thërras të mbështetni sistemin prokurorial që të funksionojë si institucion i pavarur, profesional, transparent, efikas, efektiv dhe llogaridhënës.

Duke vlerësuar lart rëndësinë e kësaj konference, falënderoj të gjitha ata që punuan rreth organizimit të saj dhe ju dëshiroj suksese.

Ju faleminderit!

Prishtinë, 11 shkurt 2022