Këshilli Prokurorial i Kosovës

Share on

Facebook

Mbahet takim i Ambasadës Amerikane, Britanike dhe Zyrës së BE-së me Panelin vlerësues për poentimin e kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit

Prishtinë, 28 shkurt 2022 – Paneli vlerësues për poentimin e kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit ka mbajtur një takim të përbashkët me përfaqësues të Ambasadës Amerikane, Ambasadës Britanike dhe Zyrës së BE-së në Kosovë, me ç’rast ka diskutuar lidhur me procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, njëherësh edhe Kryesues i Panelit, Jetish Maloku, duke falënderuar Ambasadën Amerikane, Ambasadën Britanike dhe Zyrën e BE-së në Kosovë për ndihmën e dhënë deri më tani dhe për atë që mund të ofrojnë në vazhdim të procesit të zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, tha se Këshilli Prokurorial i Kosovës është shumë i interesuar që të ketë një proces sa më transparent dhe sa më të besueshëm, andaj iu bëri thirrje partnerëve të lartcekura, që, përveç monitorimit, në ketë proces të rëndësishëm të ndihmojnë edhe me këshilla, mendime dhe përvojën e tyre.

Siç dihet, Këshilli Prokurorial i Kosovës, në takimin e 208-të me radhë, ka shpallur Konkursin për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit dhe po në këtë takim ka themeluar edhe Panelin vlerësues për poentimin e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit. Anëtarë të këtij paneli, përveç Kryesuesit të Këshillit, Jetish Maloku, që, sipas detyrës zyrtare, është anëtar dhe kryesues i panelit, përmes shortit janë përzgjedhur edhe anëtarët e KPK-së: Ariana Shajkovci, Bedrije Syla-Alshiqi, Armend Zenelaj dhe Jovo Radoviq.