Këshilli Prokurorial i Kosovës

Share on

Facebook

Lansohet Raporti “Vlerësimi krahasues i të dhënave mbi funksionimin e Sistemit të Drejtësisë në Kosovë (2014 – 2020)”

Prishtinë, 1 mars 2022 – Zëvendëskryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Veton Shabani ka marrë pjesë në lansimin e raportit “Vlerësimi krahasues i të dhënave mbi funksionimin e Sistemit të Drejtësisë në Kosovë (2014 – 2020)”, i bazuar në metodologjinë e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ) për vlerësimin e sistemeve gjyqësore.

Zëvendëskryesuesi Shabani ka falënderuar Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian në Kosovë për mbështetjen e vazhdueshme që i ofrojnë sistemit të drejtësisë në përgjithësi dhe atij prokurorial në veçanti. Ai shtoi se përvojat dhe ekspertizat e këtyre institucioneve  janë shumë të vlefshme për sistemin prokurorial dhe një raport i tillë ndihmon në përcjelljen e progresit të indikatorëve dhe ndërmarrjen e hapave të nevojshëm për fuqizim të vazhdueshëm në linjë me standardet më të mira evropiane dhe ndërkombëtare.

Ky raport është hartuar nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me institucionet relevante të drejtësisë: Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial, Odën e Avokatëve dhe Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas përmes projektit të mbështetur nga Këshilli i Evropës bazuar në metodologjinë e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ) për vlerësimin e sistemeve gjyqësore.