Këshilli Prokurorial i Kosovës

Share on

Facebook

KPK refuzon Marrëveshjen Vullnetare të Panelit Hetimor në rastin AD.nr.052022

Prishtinë, 30 shtator 2022 – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga Zëvendëskryesuesi Veton Shabani, ka mbajtur takimin e radhës, sipas rendit të paraparë të ditës.

Në këtë takim, anëtarët e KPK-së aprovuan vendimin për pagesën e ekspertëve, përfshirë edhe mjekoligjorët që ofrojnë shërbime profesionale për sistemin prokurorial, pagesë kjo, e cila do të realizohet në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore.

Gjithashtu, KPK-ja ka shtyrë për në takimin e ardhshëm prezantimin e raporteve të punës së kryeprokurorëve të prokurorive për periudhën prill-qershor 2022 dhe ka marrë vendim për t’ia dërguar kërkesën Presidentes së Republikës së Kosovës për lirim nga detyra me rastin e pensionimit të një prokurori të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

Në pjesën e mbyllur për publikun të takimit të sotëm, KPK-ja ka trajtuar Marrëveshjen Vullnetare të Panelit Hetimor lidhur me rastin AD.nr.052022, me ç’rast si e tillë nuk është aprovuar kjo marrëveshje, por anëtarët e Këshillit Prokurorial kanë kërkuar që të kthehet në rishqyrtim.