Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës

Share on

Facebook

Kryesuesi Hajdaraj priti në takim Drejtorin e Akademisë së të Drejtës Evropiane (ERA), z.Jean-Philippe

Prishtinë, 15 korrik 2024 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), z.Ardian Hajdaraj, së bashku me Ushtruesin e Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z.Besim Kelmendi dhe Drejtorin e Akademisë së Drejtësisë së Kosovës, z.Enver Fejzullahu, priti në takim Drejtorin e Akademisë së të Drejtës Evropiane (ERA), z.Jean-Philippe, me bashkëpunëtorë.

Qëllimi i takimit të sotëm ishte diskutimi për realizimin e projekteve të përbashkëta dhe për intensifikimin e aktiviteteve të Akademisë së të Drejtës Evropiane, me qëllim të rritjes së kapaciteteve të sistemit prokurorial për zbatimin e të drejtës së BE-së.

Fillimisht, Kryesuesi Hajdaraj ka njoftuar z.Jean-Philippe për nevojat e sistemit prokurorial në fushën e ngritjes së kapaciteteve profesionale, duke theksuar se sistemi prokurorial përbëhet nga prokurorë të rinj dhe se janë të mirëpritura trajnimet specifike, sidomos ato që ndërlidhen me temat e luftimit efikas të korrupsionit, shpëlarjes së parasë, krimeve kibernetike dhe krimit të organizuar.

Gjatë diskutimeve të Kryesuesit të KPK-së. Ardian Hajdaraj dhe U.D. Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, me Drejtorin e ERA, z.Jean-Philippe, është kërkuar që në trajnimet online që organizohen nga ERA të marrin pjesë prokurorët dhe, njëkohësisht, të shfrytëzohen materialet trajnuese që publikohen në uebfaqen e kësaj akademie evropiane.

Programet e Akademisë së të Drejtës Evropiane (ERA) ndihmojnë vendet e Ballkanit Perëndimor me trajnime për rritjen e kapaciteteve, duke aftësuar dhe përgatitur prokurorët dhe gjyqtarët e vendeve rajonale në zbatimin e së drejtës se BE-së.