Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës

Share on

Facebook

Urimi i Kryesuesit Hajdaraj drejtuar Shkëlqesisë së Tij, z. Jeffrey M. Hovenier

4 korrik 2024

I nderuari z.Hovenier,

Një urim i ngrohtë për shënimin e 248 vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës!

Kjo është një ditë e rëndësishme për të festuar historinë dhe arritjet e mrekullueshme të vendit tuaj. Ua dërgoj mirënjohjen dhe respektin tim për këtë datë të rëndësishme në historinë botërore.

Gëzuar Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës!

Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një ngjarje e cila përjetohet me ndjenja të veçanta vlerësimi dhe mirënjohjeje nga populli i Kosovës. Ekziston një lidhje e veçantë midis popullit të Kosovës dhe Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi Shtetet e Bashkuara kanë qenë një mbështetës i rëndësishëm dhe një aleat i fortë në rrugën drejt pavarësisë së Kosovës.

Çdo qytetar i Republikës së Kosovës ka një ndjenjë të thellë mirënjohjeje dhe respekti për Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi që mbështeten dhe vazhdojnë ta mbështesin Kosovën në krijimin e demokracisë, duke u bazuar në modelin e tyre shtetëror mbi vlerat universale të lirisë, demokracisë dhe prosperitetit.

Shpreh mirënjohjen më të thellë për bashkëpunimin e ngushtë që Këshilli Prokurorial i Kosovës ka me Departamentin Amerikan të Drejtësisë përmes projekteve dhe programeve të shumta në mbështetje të sistemit të drejtësisë dhe institucioneve në Kosovë. Jam i bindur se do të zhvillojmë edhe më tej bashkëpunimin konstruktiv në këtë fushë dhe do të shtojmë kapacitetet e sistemit prokurorial për luftimin e çdo lloj veprimtarie kriminale.

Z. Hovenier, Ju uroj shëndet të mirë dhe suksese, si dhe paqe dhe prosperitet për popullin amerikan.