Share on

Facebook

Reagim nga Prokuroria Themelore në Prishtinë

Prishtinë, 23 tetor 2024–Prokuroria Themelore në Prishtinë me qëllim të informimit të saktë të opinionit publik, njofton se rasti i njohur në publik si “Albkings” është trajtuar dhe vazhdon të trajtohet me prioritetin dhe seriozitetin më të madh nga ana e Prokurorisë dhe prokurores së rastit në fjalë.

Në lidhje me publikimin e lajmit në portalin “Insajderi” me titull “Prokurorja që i futi në burg dhe tani po i nxjerr pjesëtarët e grupit famëkeq “Albkings”, njoftojmë publikun se Prokuroria në kuadër të kompetencave është kujdesur për mbarëvajtjen dhe zhvillimin e hetimit në lidhje me këtë rast dhe ka vepruar konform dispozitave ligjore të procedurës penale.

Në rastin konkret, pas analizimit të provave të grumbulluara gjatë fazës së hetimit, Prokurori i Shtetit ka ardhur në përfundim se kanë pushuar të gjitha kushtet e veçanta  që parashihen në nenin 184 të KPPRK-së për vazhdimin e mëtejmë të masës së paraburgimit, ndërsa i pandehuri për veprimet inkriminuese ka pranuar fajësinë duke arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorin e Shtetit. Paraburgimi nuk është dënim për të pandehurin dhe i njëjti duhet të ndërpritet në çdo fazë kur pushojnë shkaqet për të cilat është caktuar.

Masa e paraburgimit dhe marrëveshja për pranimin e fajësisë jane dy institute ligjore për të cilat kodi i procedurës penale e ka autorizuar Prokurorin e Shtetit që t’i zbatojë atëherë kur përmbushen kushtet ligjore, e për të cilat Prokurori i Shtetit kujdeset çdo herë duke pasur parasysh rrethanat e rastit dhe provat e grumbulluara gjatë fazës së hetimit. 

Përmes këtij reagimi, Prokuroria Themelore në Prishtinë iu bën apel të gjitha mjeteve informuese të kenë parasysh me rastin e  plasimit të lajmeve të mos lëshohen në komentimin e veprimeve procedurale të ndërmarra nga Prokurori i Shtetit përderisa procedura penale ende është duke vazhduar.

 

Me respekt,

Zyra për Komunikim Publik në ZKPSH

Prokuroria Themelore Prishtinë