Prokuroria Themelore në Prishtinë

Share on

Facebook

Kryeprokurori Gashi takon Ambasadorin e Britanisë së Madhe, z. Jonathan Hargreaves

Prishtinë, 3 tetor 2024 – Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Zejnullah Gashi, ka pritur në një takim njohës Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Prishtinë, z. Jonathan Hargreaves.

Fillimisht, Kryeprokurori Gashi, ka shprehur mirëseardhje për Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Prishtinë, z. Jonathan Hargreaves dhe për bashkëpunëtorët e tij, duke i falënderuar për vizitën e tyre në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, me ç’rast i njoftoi për veprimtarinë, aktivitetet dhe sfidat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila është më e madhja në nivel të vendit.

Ndër të tjera, z. Gashi, duke folur për prioritetet e kësaj prokurorie, theksoi rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies, si dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje, luftimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit, veprat penale kundër integritetit seksual, të miturit në konflikt me ligjin dhe veprave të tjera. “Pavarësisht sfidave me të cilat ballafaqohemi, prokurorët e kësaj prokurorie udhëhiqen në procesin e punës së tyre vetëm nga vlerat e pavarësisë, profesionalizmit dhe etikës, me qëllim që rezultatet e punës të arrihen ashtu siç është përcaktuar me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi”, tha nënvizoi Kryeprokurori Gashi.

Nga ana tjetër, Ambasadori Hargreaves, falënderoi Kryeprokurorin Gashi për avancimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, me theks të veçantë në dhënien e ndihmës juridike në ekstradimin e shtetasve të Republikës së Kosovës, të dyshuar për vepra penale të kryera në Mbretërinë e Bashkuar, duke shprehur mbështetjen e tij për Kryeprokurorin Gashi, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit dhe luftimit të krimit ekonomik, korrupsionit dhe dukurive të tjera negative.