Prokuroria Themelore në Prishtinë

Share on

Facebook

Diskutohet me institucionet relevante rritja e numrit të delikuenteve të mitur

Prishtinë, 11 mars 2022– Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, shoqëruar nga përgjegjësi i Departamentit për të Mitur, Fatmir Behrami, si dhe prokurorë të kësaj prokurorie kanë pritur në takim drejtorë të Drejtorive të Arsimit në regjionin e Prishtinës, përfaqësues nga Njësiti i Kibernetikës në Policinë e Kosovës, përfaqësues nga Qendra për Punë Sociale dhe Shërbimi Sprovues i Kosovës.

Fillimisht, Kryeprokurori Munishi i shprehu mirëseardhje pjesëmarrësve, duke i njoftuar me përbërjen e prokurorëve në Departamentin për të Mitur dhe rastet ku të përfshirë janë delikuentet të mitur. Si shqetësim serioz shfaqi dukurinë e dhunës fizike në institucionet edukative-arsimore dhe në afërsi të tyre nga të miturit.

Takimi kishte për qëllim mobilizimin dhe ndërmarrjen e masave preventive për veprimin dhe bashkëpunimin institucional, lidhur me rastet e dhunës fizike në shkolla, po ashtu, me theks të veçantë përfshirjen e të miturve në veprat penale me narkotikë, mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe keqpërdorimit të fëmijëve në pornografi.

Në mes tjerash, të pranishmit shkëmbyen praktika dhe shpalosën sfidat me të cilat ballafaqohen gjatë punës së tyre, përfshirë edhe rekomandimet e dhëna si: rritja e sigurisë në shkolla, angazhimi më i madh i psikologëve dhe pedagogëve në institucionet edukative-arsimore dhe ngritja e nivelit të komunikimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, me qëllim të mbrojtjes së të miturve dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të tyre.

Në fund pjesëmarrësit shprehën gatishmëri të mbajnë takime të tilla më të shpeshta dhe të kenë komunikime të rregullta ndërinstitucionale.