Prokuroria Themelore në Prishtinë

Share on

Facebook

KOMUNIKATË E PËRBASHKËT PËR MEDIA NGA PROKURORIA THEMELORE NË PRISHTINË DHE POLICIA E KOSOVËS

Prishtinë, 28 Gusht 2024 – Prokurorinë Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në bashkërendim me Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike

në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, ka realizuar një aksion në dy lokacione në Pejë dhe Klinë, ku ky aksion është zhvilluar pas hetimeve disa mujore me dyshimin se persona të dyshuar janë duke kryer veprat penale të mashtrimit dhe shantazhit përmes sistemeve kompjuterike (internetit).

 

Në këtë operacion janë arrestuar dy persona të dyshuar, një mashkull dhe një femër (T.B dhe F.B).

 

Ndërkaq, në cilësi të provave janë sekuestruar:

  • Një veturë;
  • Dëshmi të transaksioneve nga unionet financiare;
  • Dy telefona mobil;
  • Dy revole;
  • Tetë copë municion;
  • Një maskë.

 

I dyshuari kryesor në këtë rast ka përdorur rrjetet sociale duke përdorur emër dhe fotografi personale të rrejshme për të gjetur dhe joshur viktimat. Motivi kryesor i joshjes ka qenë lidhje dashurie. Gjatë komunikimit viktima ka shkëmbyer me të dyshuarin, përveç tjerash, edhe fotografi dhe video intime.

 

Me qëllim të zhvatjes financiare të viktimës, i dyshuari kryesor ka përdorur arsyetime të ndryshme duke u thirrur në atë se të hollat i duhen për shërim të anëtarëve të ngushtë të familjes të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda, pastaj për të dërguar trupin e pajetë të familjarit të ngushtë në Kosovë si dhe arsyetime tjera të ngjashme. Të dyshuarit kanë arritur të mashtrojnë viktimën e cila i ka dërguar të dyshuarit para përmes unioneve financiare.

 

Në momentin që viktima ka kuptuar se është mashtruar, i dyshuari e ka shantazhuar por edhe kanosur se nëse raporton rastin në polici do t’ia publikoj fotografitë dhe videot intime.

 

Të dyshuarit me veprimet e tyre kanë vënë në lajthim dhe kanë mashtruar viktimën shtetase e huaj (por e nacionalitetit shqiptar) me ç ‘rast dëmi i shkaktuar kap vlerën mbi 80 mijë dollar amerikan.

 

Dyshohet se numri i viktimave në këtë rast, shtetase të huaja (por të nacionalitetit shqiptar), është më shumë se një.

 

Pas marrjes në pyetje, dy të dyshuarit me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dërgohen në mbajtje prej 48 orëve.