Prishtinë, 28 qershor 2024– Kryeprokurori Zejnullah Gashi brenda ambienteve të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka pritur Ambasadorin italian, Antonello De Riu dhe këshilltarin e tij, Nikollë Perlaska.
Fillimisht, Kryeprokurori Gashi u shprehu mirëseardhje të pranishmëve dhe i njoftoi me funksionimin dhe aktivitetet të cilat i realizon Prokuroria Themelore në Prishtinë, si prokurori themelore më e madhe në nivel të Kosovës. Ndër tjerash theksoi rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies, si një ndër prioritetet e kësaj prokurorie, për të vazhduar më pas me prioritetet e tjera si: trajtimin e rasteve të dhunës në familje, luftimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit, veprat penale kundër integritetit seksual, të miturit në konflikt me ligjin etj.
Në këtë takim u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve me shtetin italian për sistemin prokurorial, ku Kryeprokurori Gashi dhe Ambasadori De Riu theksuan mundësinë e trajnimeve me prokurorë italianë me fokus në krime ekonomike, duke e parë këtë si një mundësi unike për të ndarë perspektiva të ndryshme nga të cilat do të përfitonte sistemi ligjor i Kosovës.