Prokuroria Themelore në Prishtinë

Share on

Facebook

Sqarim për opinionin publik nga Prokuroria Themelore në Prishtinë

Prishtinë, 18 qershor 2024– Prokuroria Themelore në Prishtinë, me qëllim të informimit të saktë, sqaron për opinionin publik rastin i cili është paraqitur në portalin “Nacionale” përmes videos Vjedhje në mes të ditës në Prishtinë, pronari e zë hajnin në veturë – prokurori e liron në procedurë”, ku pala e dëmtuar drejton akuza të rënda karshi prokurorisë, lidhur me trajtimin fillestar të këtij rasti, të cilat janë pretendime të pabaza dhe mjaft të rënda për Prokurorin e Shtetit, si pasojë e mungesës së informacionit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në njërën anë mbron të drejtat e të dëmtuarit dhe siguron të njëjtin se është duke e trajtuar rastin me seriozitet dhe karshi dispozitave ligjore, mirëpo në anën tjetër sqaron për opinionin publik se pas marrjes së informatës nga policia, prokurori kujdestar ka autorizuar të njëjtit t’i sigurojnë pamjet e kamerave dhe t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore. Gjithashtu, sqarojmë opinionin publik se i dëmtuari në prononcimin e tij për media ka dhënë deklaratë kundërthënëse në raport me deklaratën e tij në polici, ku si dëshmitare të rastit nuk e prezanton fare bashkëshorten e tij dhe as ndonjë dëshmitar tjetër siç është prononcuar.

Ndër tjerash, sqarojmë se deri më tani nuk kemi siguruar prova se vetura është hapur me dhunë, si dhe tek i dyshuari nuk është gjetur shuma e të hollave prej 500-600 € siç pretendon i dëmtuari, megjithatë vendimi i prokurorit për tu dërguar në mbajtje apo jo i dyshuari nuk nënkupton se lirohet nga përgjegjësia penale edhe në qoftë se vërtetohet saktë gjendja faktike në një fazë më të vonshme të procedurës, derisa sigurojmë opinionin publik se Prokurori i Shtetit është duke zbatuar dispozitat e KPPRK-së lidhur me këtë çështje penale dhe mbetet i përkushtuar në ndriçimin e plotë të rrethanave të këtij rasti dhe ndaj çdo informacioni i cili paraqet veprime inkriminuese dhe ka bazë për ndjekje nga prokuroria.