Prishtinë, 25 prill 2022– Prokuroria Themelore në Prishtinë, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, reagon lidhur me shkrimin e publikuar në portalin “Gazeta Sinjali”, me titull “ Ndodh edhe kjo/ Denoncohet për dhunë në familje, Policia i gjen armë e municion, Prokurori e liron”, duke ju njoftuar se fillimisht prokurorja kujdestare nga Departamenti i Përgjithshëm është njoftuar nga policia lidhur me një rast të dhunës në familje, ashtu që me aktvendim mbi ndalim personi i dyshuar është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Dhuna në familje”, të paraparë sipas KPRK-së.
Lidhur me këtë rast, të dyshuarit B.H., i janë sekuestruar një armë, 17 fishekë dhe një thikë, si dhe me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, ndaj të dyshuarit është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “ Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 të KPRK-së.
I dyshuari ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh, derisa prokuroria ndaj të njëjtit do t’i ndërmerr veprimet e mëtejme ligjore, si dhe do të vazhdojë me trajtimin e rastit në drejtim të veprave penale të lartcekura.