Prokuroria Themelore në Prishtinë

Share on

Facebook

Diskutohet zgjidhja e rasteve përmes procedurës së ndërmjetësimit me ndërmjetësuesit e regjionit të Prishtinës

Prishtinë, 29 shtator 2022– Janë pritur në takim nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, përfaqësues nga Oda e Ndërmjetësuesve të Kosovës dhe ndërmjetësues të regjionit të Prishtinës, me pjesëmarrje të Udhëheqëses së Departamentit të Përgjithshëm të kësaj prokurorie, prokurorëve e zyrtareve të ndërmjetësimit për ta diskutuar rolin e procedurës së ndërmjetësimit në çështjet penale, si dhe efikasitetin e zgjidhjes së rasteve në saje të kësaj procedure.

Me këtë rast, Kryeprokurori Munishi ka prezantuar sfidat në menaxhimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, si prokuroria më e madhe në vend, si dhe funksionimin e Zyrës së Ndërmjetësimit në kuadër të kësaj prokurorie, duke vënë në pah se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë referuar gjithsej 312 lëndë për ndërmjetësim, të cilat kanë përfunduar të zgjidhura me 300, falë bashkëpunimit të ngushtë të ndërmjetësuesve me prokurorinë.

Temë kryesore e këtij takimi ishte Ndërmjetësimi, si procedurë alternative e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve në mes të palëve, ku roli kryesor i takon ndërmjetësuesit si person neutral për t’i ndihmuar palët në arritjen e një marrëveshjeje (zgjidhjeje) përmes një komunikimi të mirëfilltë, e cila procedurë ka treguar rezultate të mira duke ndikuar në efikasitetin e zgjidhjes së rasteve të kësaj prokurorie, duke synuar gjithnjë të aplikohet në rastet kur i plotësojnë kushtet që vepra penale të jetë e dënueshme me gjobë dhe burgim deri në tre vjet.

Ndër tjerash, pjesëmarrësit shkëmbyen përvojat dhe sfidat me të cilat ballafaqohen gjatë zhvillimit të kësaj procedure, dhanë rekomandime për qëllim të informimit në masë më të madhe të qytetarëve me procedurën e ndërmjetësimit dhe të mirat që i gëzojnë nga kjo procedurë, si dhe sugjerime të tjera.

Në fund të diskutimit pjesëmarrësit u pajtuan që të mbajnë takime të vazhdueshme me qëllim të përmbushjes sa më efikase të përgjegjësive në trajtimin e rasteve përmes procedurës së ndërmjetësimit.