Prokuroria Themelore Prishtinë

Share on

Facebook

Prokurori i Shtetit ka ngritur aktakuzë kundër dy personave për vrasje të rëndë të Bedri Rexhepit dhe për veprën penale të dëmtimit të varreve apo kufomave

Prishtinë, 18 tetor  2022– Prokuroria Themelore në Prishtinë, në konferencën për media të mbajtur sot ka njoftuar opinionin publik se, prokurori i rastit në bazë të të gjeturave antropologjike mjeko-ligjore, përfshirë përcaktimin e profilit biologjik, gjetjet odontologjike dhe provave të tjera përmes të cilave është vërtetuar identiteti i tani të ndjerit Bedri Rexhepi, si dhe të gjeturave të tjera nga hetimi i udhëhequr nga prokurori i çështjes, në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, AKI-në, FSK-në, KFOR-in dhe IML-në,  ka arritur të vërtetojë dyshimin e bazuar mirë, me ç’ rast ka ngritur aktakuzë kundër J.V. dhe N.V., në drejtim të veprave penale “Vrasja e rëndë” dhe “Dëmtimi i varreve apo kufomave”, të kryera në bashkëkryerje, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Rasti është denoncuar më 9 prill 2021, fillimisht si “person i zhdukur” dhe “rrëmbim” i të ndjerit Rexhepi. Menjëherë ka filluar ndërmarrja e veprimeve hetimore në bazë të autorizimeve të Prokurorit të Shtetit, ashtu që në koordinim me institucionet relevante, po këtë ditë janë bërë kërkime në vendin ku është gjetur vetura, në pronësi të viktimës, konkretisht në fshatin Janjevë afër rrugës për në fshatin Sushicë, mirëpo pa ndonjë rezultat. Kërkimet për gjetjen e të ndjerit kanë vazhduar gjatë gjithë procesit hetimor, deri më 30 shtator 2022, kur pas gjurmimit nga njësitë përgjegjëse janë gjetur mbetje mortore (të dekompozuara).

Në këtë çështje penale me aprovim nga Gjykata kompetente janë bërë ekzaminime të telefonave të të pandehurve dhe ekzaminime të ndryshme, janë intervistuar 29 dëshmitarë relevantë dhe të pandehurit, janë siguruar pamje të kamerave në të gjitha vendet ku ka pasur lëvizje të viktimës dhe të pandehurve në ditën kritike dhe në vijim, është siguruar hartografia e lëvizjes të  të pandehurve dhe viktimës përmes telefonit, janë aplikuar masat e fshehta të hetimit dhe vëzhgimit, etj.

Sipas aktakuzës, të pandehurit J.V. dhe N.V., në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale të lartcekura me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, andaj Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat penale të cilat iu vihen në barrë dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe të njëjtëve t’iu vazhdohet masa e paraburgimit.