Prokuroria e Pejës koordinohet me institucionet për sigurinë në shkolla
Pejë, 20 mars 2025 – Me ftesë dhe iniciativë të Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, është mbajtur takim me Drejtorët e Drejtorive te Arsimit në regjionin e Pejës dhe përfaqësues të tjerë, ku ishin prezentë drejtorët e drejtorive të arsimit nga komuna e Pejës, Deçanit, Istogut, Junikut, përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit, përfaqësues nga Policia e Kosovës, prokurorët koordinator të caktuar për rastet e veprave penale kundër drogës, integritetit seksual dhe dhunës në familje, ku u diskutua për një koordinim ndërinstitucional në mes të Prokurorisë dhe akterëve përgjegjës për mbarëvajtjen dhe sigurinë e një procesi arsimor, për një ambient të qetë shkollor.
Temë e diskutimit të këtij takimi ishte caktimi i shkollave për mbajtjen e ligjëratave në tri fusha dhe atë: dhuna në familje, pasojat e përdorimit të substancave narkotike dhe mbrojtja e integritetit seksual.
Gjatë këtij takimi u dhanë opinione të ndryshme, ku nga pjesëmarrësit u vlerësuar si iniciativë e qëlluar, edhe pse më parë ka qenë, por kjo është zbatuar vetëm në Komunën e Pejës por jo edhe në komunat tjera të regjionit, aty ku shtrihet edhe kompetenca lëndore dhe territoriale e Prokurorisë Themelore në Pejë, gjë që u mirëprit nga përfaqësuesit e Komunave tjera.
Si rezultat i takimit janë nxjerrë disa konkluzione që në takimet e radhës të jenë prezentë edhe :
- Kryetari i Këshillit të Prindërve,
- Caktimi i shkollave për mbajtjen e ligjëratave,
- Mbikëqyrja e kamerave të vendosura në shkolla nga personat kompetent dhe të autorizuar për mirëmbajtjen dhe funksionalizimin e tyre,
- Mbikëqyrja e kopshteve shtetërore dhe atyre private nga Ministria e Arsimit dhe Inspektorët përkatës si dhe
- Ligjëratë edhe për posedimin e mjeteve të ftohta të cilat hyn në kuadër të armëve.