Share on

Facebook

Kryeprokurori z. Enis Gashi dhe Prokurorët e Prokurorisë Themelore Gjakovë, takohen me përfaqësuesit e Drejtorisë Rajonale të Policisë dhe Stacioni Policor Gjakovë

Gjakovë, 23 korrik 2024, Prokuroria Themelore në Gjakovë – Kryeprokurori z. Enis Gashi, së bashku me Prokurorët e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, pritën në takim Shefin e Sektorit të Hetimeve Rajonale të Policisë dhe atë të Stacioni Policor Gjakovë. Tema kryesore e këtij takimi të rëndësishëm ishte koordinimi për kryerjen e detyrave dhe sfidat e ndryshme që paraqiten në punën e përbashkët.

Gjatë takimit, u theksua rëndësia e një bashkëpunimi të ngushtë dhe të efektshëm për të adresuar sfidat aktuale që ndikojnë në stabilitetin dhe rendin publik në rajonin tonë. Diskutimet u përqendruan në identifikimin dhe trajtimin e këtyre sfidave, duke përfshirë edhe çështje specifike që kanë ndikim të madh në sigurinë e qytetarëve.

Kryeprokurori z. Gashi, theksoi rëndësinë e një bashkëpunimi të fortë ndërmjet prokurorisë dhe policisë, duke vlerësuar kontributin e zyrtarëve policorë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Ai gjithashtu shprehu angazhimin e tij dhe të prokurorëve për të mbështetur dhe forcuar këtë bashkëpunim në mënyrë që të përmbushen objektivat e përbashkëta.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Drejtorisë Rajonale të Policisë dhe Stacioni Policor Gjakovë, shprehën gatishmërinë dhe përkushtimin e tyre për të vazhduar me përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër krimit dhe ruajtjen e sigurisë publike, duke shprehur mirënjohjen e tyre për mbështetjen e vazhdueshme të Kryeprokurorit z. Gashi dhe të prokurorëve, theksuan rëndësinë e një koordinimi të vazhdueshëm për të arritur rezultate të suksesshme.

Ky takim është një shembull i qartë i përkushtimit të institucioneve tona për të punuar së bashku dhe për të adresuar sfidat që paraqiten në mënyrë të përbashkët, me qëllim të garantimit të një mjedisi më të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e rajonit tonë.