TAKIM PUNE NDËRMJET PROKURORISË SË APELIT DHE PROKURORISË THEMELORE NË PRISHTINË
Prishtinë, 17 prill 2025 – Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, z. Agron Bajrami, së zhvilloi sot një takim pune me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Zjenullah Gashi, zëvendës kryeprokuroren Elza Bajrami dhe disa nga prokurorët e kësaj prokurorie.
Gjatë këtij takimi, diskutimet u përqendruan në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përmirësimin e efikasitetit në trajtimin e lëndëve penale. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë dhe bashkëpunimit të ngushtë për rritjen e cilësisë dhe besueshmërisë së vendimeve, duke trajtuar gjithashtu sfidat dhe mangësitë e evidentuara në vendimet e shkallës së parë. Dy kryeprokurorët analizuan arsyet që çojnë në kthimin e lëndëve për rivendosje dhe trajtuan çështje të tjera të rëndësishme lidhur me vendimmarrjen në Prokurorinë e Apelit.
Prokuroria e Apelit do të vazhdojë me organizimin e takimeve të ngjashme edhe me prokuroritë tjera në vend, për të fuqizuar dialogun profesional dhe për të kontribuar në përmirësimin e cilësisë së përgjithshme në sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës.