Prishtinë, 15 prill 2025 – Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, z. Agron Bajrami, së bashku me prokuroren znj. Nazan Shero, zhvilluan sot një takim pune me Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, z. Blerim Isufaj, Zëvendëskryeprokurorin z. Valdet Gashi dhe prokurorin z. Ilir Morina.
Ky takim u fokusua në thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjen e efikasitetit në trajtimin e lëndëve penale. Pjesëmarrësit diskutuan mbi sfidat dhe mangësitë e evidentuara në vendimet e shkallës së parë, analizuan arsyet që çojnë në kthimin e lëndëve për rivendosje dhe trajtuan çështje të rëndësishme që ndërlidhen me vendimmarrjen në Prokurorinë e Apelit.
Gjatë takimit, u theksua nevoja për komunikim të drejtpërdrejtë dhe bashkëpunim të ngushtë mes prokurorive, me qëllim që të përmirësohet cilësia dhe të rritet besueshmëria në vendimet që merren. Po ashtu, u adresuan edhe shqetësimet dhe vërejtjet e prokurorëve, si pjesë e përpjekjeve për një sistem prokurorial më të përgjegjshëm dhe profesional.
Prokuroria e Apelit do të vazhdojë organizimin e takimeve të ngjashme edhe me prokuroritë themelore në vend, për të fuqizuar dialogun profesional dhe për të kontribuar në përmirësimin e cilësisë së përgjithshme në sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës.