Share on

Facebook

Mbahen takime pune ndërmjet Prokurorisë së Apelit dhe prokurorive themelore në Pejë dhe Gjakovë

Prishtinë, 18 prill 2025 – Në kuadër të vizitave të punës për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, z. Agron Bajrami, zhvilloi sot takime me krerët e prokurorive themelore në Pejë dhe në Gjakovë, ku u prit nga Kryeprokurorja znj. Lumturije Vuçetaj dhe Kryeprokurori z. Enis Gashi, me bashkëpunëtorët e tyre.

Qëllimi i takimeve është diskutimi për koordinimin dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me fokus të veçantë në përmirësimin e efikasitetit gjatë trajtimit të lëndëve penale.

Me këtë rast, Kryeprokurori i Prokurorisë se Apelit, z. Bajrami, foli për rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë dhe angazhimin e përbashkët për rritjen e cilësisë dhe besueshmërisë së vendimeve. “Në këtë aspekt, kemi gjithnjë parasysh edhe trajtimin e sfidave dhe mangësive të evidentuara në vendimet e shkallës së parë, andaj vetëm me angazhime të përbashkëta mund t’i tejkalojmë ato”, tha z. Bajrami gjatë takimeve në Pejë dhe Gjakovë.

Gjithashtu, znj. Vuçetaj dhe z. Gashi, nënvizuan përkushtimin e tyre për të pasur bashkëpunimin e duhur dhe koordinimin e mirëfilltë të angazhimeve ndërinstitucionale, me anë të të cilave tejkalohen vështirësitë e caktuara në rrugën përpara.

Në përfundim të takimeve të sotme, bashkëbiseduesit u pajtuan për të thelluar fuqizimin e dialogut profesional dhe për të dhënë kontributin e tyre institucional në përmirësimin e cilësisë së zbatimit të ligjit në vend.