Prishtinë, 25 mars 2025 – Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Agron Bajrami, mori pjesë në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Këshilli i Evropës me temën “Konsistenca e jurisprudencës dhe harmonizimi i praktikës gjyqësore”. Kjo ngjarje u zhvillua në kuadër të projektit për mbështetje të Gjykatës Kushtetuese në përhapjen e standardeve evropiane për të drejtat e njeriut dhe mblodhi përfaqësues të institucioneve gjyqësore dhe prokuroriale nga Kosova.
Në fjalimin e tij, Kryeprokurori Bajrami, theksoi rëndësinë e konsistencës së jurisprudencës për forcimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe ruajtjen e stabilitetit ligjor. Ai theksoi se harmonizimi i praktikës gjyqësore është thelbësor për të shmangur pasigurinë juridike dhe për të siguruar një interpretim të unifikuar të ligjit.
Gjatë fjalës, Bajrami identifikoi disa sfida të rëndësishme në këtë proces, përfshirë interpretimin e ndryshëm të ligjit nga gjykatat dhe prokuroritë, që shpesh shkakton pasiguri. Mungesa e një baze të të dhënave të centralizuara për vendimet gjyqësore është po ashtu një barrierë e rëndësishme për krijimin e një konsistence ligjore.
Kryeprokurori Bajrami propozoi zhvillimin e një baze të të dhënave të përbashkëta për vendimet gjyqësore, e cila do të shërbente si një burim referimi për të gjithë pjesëmarrësit në sistemin e drejtësisë dhe do të mundësonte unifikimin e praktikave. Ai, gjithashtu, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me Gjykatën Supreme dhe përfshirjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve në trajnime të përbashkëta për interpretim të qëndrueshëm të ligjit.
Në përfundim, Bajrami, theksoi se konsistenca e jurisprudencës dhe harmonizimi i praktikës gjyqësore është një garanci për shtetin e së drejtës dhe një faktor kyç në forcimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Ai theksoi pritshmërinë se diskutimet dhe rekomandimet e kësaj tryeze do të çojnë në përmirësime konkrete dhe do të ndihmojnë në krijimin e një sistemi të qëndrueshëm ligjor.
Përveç Kryeprokurorit Bajrami, në këtë tryezë morën pjesë, Shefja e Zyrës se Këshillit të Evropës në Kosovë, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, përfaqësues të Gjykatës Kushtetuese, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Odës së Avokatëve, organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertëve ligjorë, duke garantuar një diskutim gjithëpërfshirës mbi sfidat dhe perspektivat e praktikës gjyqësore.