Share on

Facebook

KRYEPROKURORI I APELIT VIZITON PROKURORINË THEMELORE NË PRIZREN PËR TË AVANCUAR BASHKËPUNIMIN INSTITUCIONAL

Prishtinë, 7 maj 2025 – Në vazhdën  e takimeve të rregullta me prokuroritë themelore të Republikës së Kosovës, Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, z. Agron Bajrami, ka zhvilluar një takim pune në Prokurorinë Themelore në Prizren, ku është pritur nga Kryeprokurori z. Petrit Kryeziu dhe prokurorë të kësaj prokurorie.

Qëllimi i këtij takimi ishte thellimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe avancimi i praktikave profesionale, me synim të rritjes së efikasitetit dhe cilësisë në trajtimin e lëndëve penale.

Gjatë diskutimeve, u trajtuan çështje me rëndësi që lidhen me sfidat e përbashkëta në sistemin prokurorial, përfshirë analizën e rasteve të kthimit për rivendosje nga Apeli. U theksua nevoja për standardizimin dhe përmirësimin e arsyetimit ligjor në vendimet e shkallës së parë, si një ndër faktorët kyç për përmirësimin e përgjithshëm të performancës.

Kryeprokurorët Bajrami dhe Kryeziu nënvizuan rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë dhe shkëmbimit të përvojave si mekanizma thelbësorë për forcimin e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë, si dhe për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies institucionale.

Prokuroria e Apelit mbetet e përkushtuar të vazhdojë me këtë qasje bashkëpunuese me të gjitha prokuroritë e vendit, me synim krijimin e një kulture të qëndrueshme të dialogut profesional dhe ngritjes së vazhdueshme të standardeve në funksion të një sistemi prokurorial më efikas, transparent dhe të besueshëm për qytetarët e Republikës së Kosovës.