Prishtinë, 30 prill 2025 – Me qëllim të ngritjes së bashkëpunimit dhe përmirësimit të performancës institucionale, Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, z. Agron Bajrami, ka mbajtur një takim pune me ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, z. Njazi Rexha, dhe disa prej prokurorëve të kësaj prokurorie.
Takimi mes dy kryeprokurorëve shërbeu për të diskutuar sfidat aktuale në sistemin prokurorial dhe për të identifikuar mënyrat më efikase për adresimin e tyre. Në fokus të diskutimit ishte rritja e cilësisë së vendimmarrjes, përmirësimi i efikasitetit në trajtimin e lëndëve penale, si dhe ndarja e përvojave dhe praktikave të mira ndërmjet niveleve të ndryshme të prokurorisë.
Një nga pikat kyçe të takimit ishte analiza e rasteve që kthehen për rivendosje, si dhe nevoja për standardizim dhe përmirësim të arsyetimit ligjor në vendimet e shkallës së parë. Kryeprokurorët Bajrami dhe Rexha u pajtuan se bashkëpunimi i drejtpërdrejtë dhe komunikimi i hapur janë thelbësorë për fuqizimin e sistemit të drejtësisë dhe rritjen e besueshmërisë publike.
Prokuroria e Apelit thekson përkushtimin e saj për të vazhduar organizimin e takimeve të tilla me prokuroritë në të gjithë vendin, me synim të ndërtimit të një praktike të qëndrueshme bashkëpunimi profesional dhe ngritjes së cilësisë në tërë sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës.