Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryeprokurori i Shtetit Ismet Kabashi priti në takim prokuroren e përgjithshme të Republikës së Shqipërisë Ina Rama

Prishtinë, 26 mars 2012 / Me ftesë të Kryeprokurorit të Shtetit dhe njëherësh Kryetarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ismet Kabashi, Prokurorja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë,  Ina Rama, po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.

Prokurorja e Përgjithshme Rama e shoqëruar nga bashkëpunëtorët e saj, u prit sot në takim nga homologu i saj, kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi.

Në këtë takim u diskutua rreth zbatimit të marrëveshjes në mes dy prokurorive lidhur me bashkëpunimin e ndërsjellë për luftën kundër krimit të organizuar dhe shpëlarjes së parave.

Gjithashtu, në këtë takim kryeprokurori Kabashi i njoftoi mysafirët me prioritetet dhe me synimet që ka si kryeprokuror i Shtetit dhe si kryetar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe për fazën nëpër të cilën është duke kaluar sistemi prokurorial i Kosovës, me theks të veçantë për strukturën e re organizative të Prokurorit të Shtetit, e cila strukturë do të filloj së funksionuari nga data 1 janar 2013.

Në këtë takim u bisedua edh për punët, sfidat dhe problemet, me të cilat ballafaqohen prokuroritë në të dyja vendet, si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në mes dy vendeve në përpjekjet për luftimin e krimit të organizuar.

Ndërkaq, prokuroja e Përgjithshme Ina Rama premtoi se Shqipëria do të ndihmojë integrimin e prokurorisë së Kosovës në organizatat ndërkombëtare të prokurorëve, me qëllim të shtimit të efikasitetit dhe bashkëpunimit të prokurorëve në nivel ndërkombëtarë.

Gjatë vizitës në Prishtinë, Prokurorja e Përgjithshme, Rama, u takua edhe me Presidenten e vendit, Atifete Jahjaga, me kryetarin e Këshillit Gjyqësor të Republikës së Kosovës, Enver Peci, me Kryetarin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës,  Fejzulla Hasani, me Ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe me Ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.