Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryesuesi Isufaj: Terrorizmi dhe pastrimi i parave është kërcënim global

Prishtinë, 28 qershor 2017 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, sot ka marrë pjesë në punëtorinë me temë: “Financimi i Terrorizmit dhe Pastrimi i Parave”, e organizuar nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-ve, Programi Ndërkombëtar i Asistencës për Trajnimin e Hetimeve Penale (ICITAP) dhe Programi për Ndihmë, Trajnim dhe Zhvillim Prokurorial Jashtë Vendit (OPDAT) në Kosovë.

Para të pranishmëve të kësaj punëtorie, kryesuesi Isufaj tha: “Fillimisht falënderoj Departamentin e Drejtësisë së SHBA-së, ICITAP-in dhe OPDAT-in për ftesën që të jem pjesë e kësaj punëtorie që në fokus ka parandalimin dhe luftimin e financimit të terrorizmit dhe pastrimit të parave.

Zonja dhe zotërinj, financimi i terrorizmit dhe pastrimi i parave, sot është kërcënim global dhe se asnjë vend nuk është tërësisht i mbrojtur nga kjo dukuri. Në këtë drejtim edhe Kosova është sfiduar dukshëm nga kjo formë e kriminalitetit viteve të fundit, ku si rezultat i kontestit socio-politik dhe kompetencave të ndara dhe shpesh moskoordinim adekuat në mes të institucioneve ndërkombëtare dhe vendore për sundimin e ligjit ka krijuar terrenin për shtrirjen e kësaj dukurie edhe në vendin tonë.

Si rezultat, fillimisht përmes financimit nga organizata të dyshimta janë promovuar idetë fundamentaliste/konservatore fetare e që gradualisht kanë evoluar në ide të dhunshme ekstremiste dhe pjesëmarrjen në aktivitete terroriste.

Institucionet vendore përgjegjëse për sundimin e ligjit, viteve të fundit janë angazhuar me gjithë kapacitetin e tyre për të luftuar dhe parandaluar këtë formë të kriminalitetit. Në këtë drejtim përmes një koordinimi të mirë në mes të policisë, prokurorisë dhe institucioneve tjera është arritur që të ketë rezultate konkrete duke parandaluar dukshëm këtë dukuri në vendin tonë.

Megjithatë, institucionet e sundimit të ligjit e në veçanti sistemi prokurorial ende ka nevojë të madhe për ngritje të kapaciteteve profesionale, përvetësim të praktikave më moderne, si dhe rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtarë në luftimin dhe parandalimin efikas të kësaj dukurie.

Të vetëdijshëm për seriozitetin e kësaj forme të kriminalitetit dhe kërcënimit që ka për vendin dhe më gjerë, sistemi prokurorial në kuadër të planeve të punës e ka përcaktuar si prioritet ngritjen e kapaciteteve të prokurorëve për luftimin efikas të financimit të terrorizmit dhe pastrimit të parave.

Andaj, mbështetja e juaj përmes trajnimeve dhe me infrastrukturë është tejet e rëndësishme dhe faktor kyç për suksesin tonë në këtë mision.

Ne ju jemi mirënjohës për mbështetjen tuaj dhe mbetemi me shpresë se ne do të vazhdojmë bashkëpunimin e shkëlqyer edhe në të ardhmen.

Për fund me lejoni të ju uroj suksese në këtë punëtori dhe të shprehë përkushtimin tim të plotë për bashkëpunimin me institucionet e drejtësisë së SHBA-së.”