Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Nënshkruhet Memorandum i mirëkuptimit në mes të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe institucioneve të tjera ligj-zbatuese për funksionimin e Zyrës për Rikthim të Aseteve

Prishtinë, 12 prill 2024 – Sot u mbajt ceremonia e inaugurimit të Zyrës për Rikthim të Aseteve,  e organizuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Organizata RoLAG (Rule of Law Advisory Group) si Partner Implementues i Projektit Anti - Korrupcion (SAEK III) të Zyrës së UNDP-së në Kosovë, si dhe në bashkëpunim me Institutin e Bazelit për Qeverisje.  

Me qëllim të funksionalizimit të kësaj Zyreje, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, së bashku me krerët nga Policia e Kosovës, Njësiti për Inteligjencë Financiare, Agjencia për Menaxhimin e Aseteve të Konfiskuara dhe të Sekuestruara, Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana e Kosovës nënshkruan Memorandum të Mirëkuptimit.

Me këtë rast U.D. Kryeprokurori Kelmendi ka falënderuar përfaqësuesit e Institutit të Bazelit për Qeverisje dhe UNDP-së për mbështetjen dhe ndihmën e dhënë në forma të ndryshme për themelimin e Zyrës së Rikthimit të Aseteve dhe ka shprehur gatishmërinë e tij për bashkëpunim me të gjitha institucionet tjera ligj-zbatuese me qëllim të funksionalizimit të kësaj Zyreje. 

Zyra për Rikthimin e Aseteve është themeluar në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe udhëhiqet nga z. Bahri Hyseni, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit. Kjo Zyrë ofron ndihmë dhe këshilla në gjurmimin e pasurisë, bashkëpunimin me institucione financiare, kontabilitet forenzikë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar për arritjen e synimeve të prokurorëve të rastit për kthimin e pasurisë së fituar përmes veprës penale.

Ceremonia e inaugurimit të Zyrës për Rikthim të Aseteve u bë në prani të kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Ardian Hajdaraj,  kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, kryeprokurorëve të Prokurorive Themelore, të disa prokurorëve të shtetit nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Prokuroria Speciale dhe  nga prokuroritë themelore, si dhe përfaqësuesve të Zyrës së UNDP-së në Kosovë dhe përfaqësuesit e Institutit të Bazelit për Qeverisje.