Fjalime - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Fjalimi i Kryeprokurorit Lumezi, mbajtur në ceremoninë e përurimit të objektit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj

Ferizaj, 10 shkurt 2016 – Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, sot ka marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të objektit të ri të Prokurorisë Themelore të Ferizajt.
 
Në fjalën e mbajtur para pjesëmarrësve të kësaj ceremonie, kryeprokurori Lumezi ka thënë: “Jemi këtu së bashku në një ngjarje të rëndësishme që ka organi i akuzës, në ceremoninë e inaugurimit të ndërtesës së re të PTH në Ferizaj. Prandaj, në emër të Prokurorit të Shtetit dëshiroj të ju përshëndes dhe të ju falënderoj për  pjesëmarrje në këtë ceremoni, e në veçanti Kryeministrin e Republikës së Kosovës Z. Isa Mustafa, ambasadorin e SHBA, Z. Greg Dellawie, përfaqësuesin e misionit të Eulex-it Z. Piter Bach, kryetarin e Komunës së Ferizajit Z. Muharrem Sfarqa,  prokurorë, gjyqtarë dhe të pranishëm,

Sot PTH në Ferizaj do të fillojë punën në këtë objekt të ri në të cilin prokurorët dhe stafi mbështetës do të ushtrojnë veprimtarinë e tyre të përditshme. Me ngritjen e këtij objekti dhe me plotësimin e vendeve të lira për prokurorë të rinjë, do të krijohen kushte më të mira që PTH në Ferizaj të fillojë t’i përmbushë më fuqishëm përgjegjësitë e veta në luftimin e dukurive negative, me të cilat përballet shteti i Kosovës në rrafshin e sundimit të ligjit, si korrupcioni, terrorizmi, krimi i organizuar dhe shumë vepra tjera penale që rrezikojnë jetën, pasurinë, pronën, sigurinë dhe paqen e qytetarëve tanë.

Fakti që deri më tani janë ndërtuar objekte të reja për nevojat e PTH në Prishtinë, Gjilan, Prizren, Pejë, Ferizaj dhe ne ndërtim e sipër është dhe objekti i PTH në Gjakovë, na jep të drejtë për të besuar se pushteti ekzekutiv është duke u angazhuar për përmirësimin e kushteve të punës për Prokurorinë e Shtetit. Të gjithë ju që do të ushtroni veprimtarinë në këtë objekt të financuar nga buxheti i Kosovës duhet të dini se keni një detyrë shumë të rëndësishme dhe duhet të jeni të vetëdijshëm për rolin e juaj në shoqëri.

Prokurorët e Shtetit duhet të tregojnë se janë të vendosur për t’i kryer obligimet kushtetuese dhe ligjore kundër atyre që keqpërdorin pasurinë e shtetit, që cenojnë të drejtat e njeriut si dhe vlerat shoqërore të garantuara dhe të mbrojtura me Kushtetutën e vendit tonë dhe të drejtën ndërkombëtare.

Nga të gjithë ju prokurorët e shtetit dhe stafi mbështetës i kësaj prokurorie pres që me përkushtim t’i shërbeni qytetarëve të Ferizajit sa herë që ata trokasin në dyert e kësaj prokurorie, gjithashtu duhet të rritni komunikimin me qytetarët sepse ata janë vlerësuesi dhe matësi më i mirë i pavarësisë dhe integritetit tuaj.

Prandaj ftoj të gjithë të dëmtuarit nga krimi dhe të gjithë ata që dëshirojnë t’i ndihmojnë drejtësisë të bëhen pjesë e rëndësishme e punës së prokurorëve për të bërë më të mirën në zbulimin dhe ndëshkimin e krimit.

Prokurori i Shtetit është duke u përballur me shumë sfida që kanë të bëjnë me konsolidimin e shtetit ligjor, duhet të kuptoni se luftimi i krimit dhe sjellja e kryesve të veprave penale para drejtësisë nuk është barrë vetëm e një institucioni. E them këtë ngase sundimi i rendit dhe ligjit nënkupton që edhe institucionet tjera t’i kryejnë detyrat e tyre dhe mos të lejojnë që të dënuarit t’i shmangen drejtësisë.

Shteti juridik në asnjë mënyrë nuk mund të ndërtohet nëse dispozitat ligjore injorohen, duke iu dhënë përparësi interesave personale dhe partiake. Në këtë drejtim dua të them se Kushtetuta, ligjet dhe institucionet nuk janë ndërtime provizore por janë themel i shtetit të ri të Kosovës  që do tju përket edhe shumë gjeneratave tjera.

Edhe në Kosovë sikurse në shumë vende tjera demokratike sistemi i drejtësisë duhet të mbetet rregullator i konflikteve në shoqëri. Historia e shoqërisë njerëzore ka treguar se suksesi i një shteti nuk qëndron jashtë debateve institucionale dhe as në retorikat dhe qëndrimet personale që mund të çojnë në acarime tensionesh politike dhe në përkeqësimin e tyre. Përkundrazi, dialogu dhe kompromisi, ndërmjetësimi dhe komunikimi janë pjesë e vizionit demokratik i cili reflekton edhe në fuqizimin apo brishtësinë e sistemit të drejtësisë.

Zonja dhe zotërinj,

Para disa ditëve keni dëgjuar fjalë të papëlqyera për punën e prokurorëve të Shtetit, në disa raste edhe kërcënime nga ata që paguhen për të mbrojtur krimin dhe që dinë të flasin edhe në emër të drejtësisë. Ne kur nuk do të lejojmë që të denigrohet puna jonë nga akuzat fallco kundër nesh,  e as të frikësohemi nga kërcënimet për shkatërrimin tonë, ne jemi shërbyes të shtetit dhe duhet të kemi besimin se drejtësia bën fuqi dhe me këtë besim ne do të guxojmë deri në fund të bëjmë detyrën tonë ashtu si e lejon ligji.

Ju prokurorët e Shtetit duhet të vazhdoni ti trajtoni me ndershmëri dhe korrektësi të gjithë të dyshuarit për vepër penale pavarësisht emrit dhe pozitës së tyre shoqërore, dhe nëse eventualisht bëni ndonjë kërkesë të pabazuar në fakte dhe ajo ju vihet në dukje ju duhet të jeni të gatshëm ta trajtoni me kënaqësi për ta kthyer drejtësinë në vend.

Ne do të vazhdojmë të japim kontributin tonë në realizimin e drejtësisë duke i respektuar vendimet e gjykatave edhe kur nuk pajtohemi me to dhe ato do t’i komentojmë dhe kontestojmë vetëm nëpërmjet të drejtës për të ushtruar ankesën dhe për të kërkuar rishikimin e tyre në shkallë më të lartë.

Unë nuk dua të besoj se disa vendime gjyqësore nxjerren pas kalkulimeve aritmetike dhe mua sinqerisht më vjen keq për këto vendime të cilat mund të dëmtojnë drejtësinë dhe humbin besimin e qytetarëve. Ne sa herë që do të jemi të pakënaqur me vendimet e gjykatave do të ndjekim rrugën institucionale, por në raste të caktuara kur kemi fakte se vendimet gjyqësore janë nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme duke i shkaktuar dëm të drejtave të personave tjerë ne do të veprojmë në përputhje me të drejtat tona kushtetuese dhe ligjore.

Prokuroria e Shtetit me rezultatet e mira të punës gjithnjë e më shumë është duke e marrë mbështetjen e shoqërisë, institucioneve shtetërore por edhe të partnerëve ndërkombëtar. Ne duhet ta vlerësojmë këtë mbështetje dhe të tregojmë se jemi të gatshëm t’i marrim të gjitha kompetencat në fushën e sundimit të ligjit dhe të dalim nga retorikat e përditshme në veprime konkrete për të bindur të gjithë se jemi të vendosur për të krijuar një sistem të drejtë për të gjithë qytetarët e vendit tonë.

Ne të gjithë duhet të kontribojmë në ndërtimin  e sundimit të ligjit, në ndërtimin e një sistemi më efikas dhe profesional të drejtësisë, në të cilin qytetarët do të kenë besim, kjo është shumë e rëndësishme për vendin tonë por edhe për procesin e integrimit evropian.

Në fund, të gjithë prokurorëve, bashkëpunëtorëve profesional dhe stafit administrativ ju dëshiroj punë të mbarë dhe të suksesshme në ndërtesën e re dhe nga të gjithë ju kërkoj të keni bashkëpunim dhe koordinim të mirë me Policinë e Kosovës, gjykatat dhe agjensionet tjera të zbatimit të ligjit, të jeni të vendosur dhe të qëndrueshëm në hetimin e krimeve, në përfaqësimin e akuzave para gjykatës si dhe të respektoni të drejtat e të gjitha palëve që përballen me drejtësinë brenda dyerve të kësaj ndërtese të re.

Urime, e gëzofshi ndërtesën e re dhe suksese!”