Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Administrata Tatimore e Kosovës mbajnë takim me institucionet publike lidhur me zhvillimin e platformës për hetime penale mbi të dhënat inteligjente

Prizren, 15 mars 2023 - Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, përkatësisht U.D. Kryeprokurori i Shtetit, z. Besim Kelmendi, së bashku me Drejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj, mbështetur nga Zyra e UNDP në Kosovë, përmes Projektit SAEK III, kanë mbajtur takim të përbashkët me akterët institucionalë të Republikës së Kosovës për intensifikimin dhe bashkërendimin në funksion të zhvillimit të platformës për hetime penale mbi të dhënat inteligjente, e cila platformë derivon nga marrëveshja e përbashkët ndërmjet ZKPSH-së dhe ATK-së. 

Kjo marrëveshje ka për synim ndikimin pozitiv në zvogëlimin e nivelit të korrupsionit në Kosovë, duke forcuar mekanizmat e monitorimit dhe mbikëqyrjes së institucioneve për të kryer funksionin e tyre në mënyrë efikase, transparente dhe të përgjegjshme.

Në kuadër të kësaj, platforma për hetime penale mbi të dhënat inteligjente mundëson shkëmbim e informatave që gjenden në databazat e institucioneve tjera të Kosovës, në mënyrë që të përshpejtohen procedurat hetimore për rastet e korrupsionit, krimit të organizuar dhe krimit financiar, që do të mundësonte luftimin efikas dhe efektiv të veprave penale.

Në këtë punëtori kanë marrë pjesë udhëheqës të institucioneve publike nga: Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), Banka Qendrore e Kosovës (BQK), Dogana e Kosovës, Agjencia e Regjistrimit Civil, Agjencia Kadastrale dhe Departamenti i Tatimit në Pronë në kuadër të Ministrisë së Financave, ku përveç bashkërendimit të aktiviteteve ndërinstitucionale synohet edhe dakordimi për modalitetet e bashkëpunimit në të ardhmen.