Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Komunikatë e përbashkët e Prokurorisë së shtetit dhe Policisë së Kosovës

Me qëllim të ngritjes së bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së shtetit në luftimin e krimit, sot me 11 janar 2011 në orën 10:00, u mbajt një takim pune në Policinë e Kosovës, ku morën pjesë kryeprokurori i shtetit z. Ismet Kabashi, ndihmësdrejtori i përgjithshëm i Policisë për hetime, z. Kadri Arifi, kryeprokurorët e 5 qarqeve të Kosovës, zv/drejtorët rajonalë për hetime dhe drejtorët e drejtorive në kuadër të shtyllës së hetimeve si dhe përfaqësues nga ambasada amerikane (ICITAP-i).

Në takim u diskutua për ngritjen e bashkëpunimit ndërmjet Prokurorisë dhe Policisë, për problemet apo vështirësitë që hasen gjatë ushtrimit të detyrës nga të dy institucionet.

Kryeprokurori i shtetit z. Ismet Kabashi, duke përshëndetur të pranishmit theksoi se niveli i bashkëpunimit ndërmjet Prokurorisë dhe Policisë ka pasur ngritje, e posaçërisht vitin e fundit. Njëkohësisht falënderoi ICITAP-in për përkrahjen e dhënë në këtë aspekt si dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë drejtim. Ai ndër tjera ceku edhe veprimet e ndërmarra në luftën kundër korrupsionit, ku janë angazhuar një numër i prokurorëve nëpër prokuroritë e qarqeve si pjesë e Task Forcës kundër korrupsionit. Në fund të fjalimit, duke i falënderuar të gjithë për kontributin e dhënë dhe duke besuar në bashkëpunim të mirë, z. Kabashi inkurajoi që takime të tilla të zhvillohen edhe në të ardhmen, qoftë në këtë përbërje apo tjetër.

Takimi vazhdoi me një fjalim të shkurtë nga Gino Fimbianti, këshilltar i lartë për marrëdhëniet Polici-Prokurori në kuadër të ICITAP-it. Ai falënderoi kryeprokurorin e shtetit dhe ndihmësdrejtorin e përgjithshëm për hetime si dhe shprehu kënaqësinë që sheh një takim të këtij formati, duke besuar në ngritjen e mëtutjeshme të bashkëpunimit ndërmjet Policisë dhe Prokurorisë.