Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

KPK-ja i përmbahet deklaratës së përbashkët që pritet të nënshkruhet me KGJK-në dhe MD-në

Prishtinë, 16 shkurt 2023 – Me qëllim të fuqizimit të vazhdueshëm të sundimit të ligjit, Këshilli Prokurorial i Kosovës, në koordinim të plotë me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, është angazhuar për konkretizimin e veprimeve që dërgojnë në qartësimin dhe fuqizimin e kuadrit ligjor, të cilat rregullojnë këto dy institucione.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, së bashku me Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Ministrinë e Drejtësisë, është zotuar që, përmes një deklarate të përbashkët, e cila pritet të nënshkruhet, të themelojë grupe të përbashkëta punuese për vlerësimin, konceptualizimin dhe draftimin e nismave ligjore, me qëllim të qartësimit, amendamentimit dhe fuqizimit të kuadrit ligjor në fushat, që ndërlidhen me vlerësimin e performancës, procesin e rekrutimit, emërimit dhe riemërimit, sistemin e disiplinimit, zhvillimin profesional dhe statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, forcimin e mekanizmave për deklarim të pasurisë së prokurorëve dhe gjyqtarëve, sistemin e verifikimit të profilit të kandidatëve për prokurorëve dhe gjyqtarëve, si dhe zbatimin e rekomandimeve nga misioni TAIEX për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit (2022).

Institucionet nënshkruese të kësaj deklarate, duke respektuar pavarësinë e institucioneve të tjera, konkretisht, pa paragjykuar Komisionin Ad hoc të Kuvendit të Republikës së Kosovës rreth amendamentimeve kushtetuese dhe ligjore për vetingun dhe në linjë me opinionin e Komisionit të Venecias, respektivisht, me rekomandimin e këtij opinioni “për të hyrë në dialog të plotë me Këshillat”, zotohen për ta jetësuar pakon ligjore, me qëllim të fuqizimit të sundimit të ligjit në Kosovë.

Në fund, të gjitha veprimet e parapara do të jenë në bashkërendim të plotë me partnerët ndërkombëtarë.