Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Me aktivitete të ndryshme u përmbyll “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”

Prishtinë, 31 tetor 2022/  Nga datat 24-28 tetor 2022 u mbajtën aktivitete të ndryshme për të shënuar  “Javën për të drejtat e viktimave të krimit”, e cila u organizua nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, me moton “Moment reflektimi i zinxhirit institucional”.

Hapja e kësaj Jave u bë përmes mbajtjes së një konference, ku të pranishmëve me fjalë rasti iu drejtuan: U.d. kryeprokurori i Shtetit z. Besim Kelmendi,  SH.S. Znj. Vjosa Osmani, Presidente e Republikës, Jeffery M.Hovenier, Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Enver Peci, kryetar i Gjykatës Supreme, Jetish Maloku, kryesues i Këshillit Prokurorial, dhe Demë Hasanaj, u.d. Menaxher i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave.

Me këtë rast ud. kryeprokurori i shtetit Besim Kelmendi, shprehu angazhimin e tij të plotë në forcimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e viktimave të krimit, duke bërë thirrje për bashkëpunim dhe koordinim profesional dhe institucional, në mënyrë që të ofrohen gjithë kapacitetet institucionale për të mbrojtur viktimat e krimit, që nga momenti i identifikimit të tyre, gjatë procedurave të ndryshme ligjore e deri tek rikuperimi dhe rehabilitimi i tyre i plotë.

 

Ndërkaq, gjatë gjithë javës janë mbajtur tryeza pune në shtatë regjionet e vendit, ku pjesëmarrës ishin drejtues të institucioneve vendëse e ndërkombëtare. Në këto tryeza janë vu në pah sfidat me të cilat ballafaqohen institucionet gjatë punës me rastet kur ofrohet ndihmë në mbrojtje të viktimave të krimit. Po ashtu, në këto tryeza regjionale u dhanë rekomandime nga pjesëmarrësit, si dhe u potencua se duhet mundësuar të gjithë viktimave një proces i drejtë dhe koherent, me theks në rehabilitimin e tyre të plotë.

 

Pas përfundimit të shënimit të kësaj jave u.d kryeprokurori i Shtetit Besim Kelmendi, falënderon Ambasadën e ShBA-së në Prishtinë, për mbështetjen në organizimin e kësaj Jave dhe kontributin e dhënë në avancimin e të drejtave të viktimave të krimit.

 

“Java për të drejtat e viktimave të krimit”, ka për qëllim nderimin e viktimave të krimit dhe rritjen e vetëdijes për të drejtat e tyre, si dhe organizohet me moto të ndryshme çdo vit nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.