Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Blerim Isufaj propozohet për emërim në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit

Prishtinë, 6 prill 2022 – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga Jetish Maloku, ka mbajtur takimin e 212-të me radhë.

Paraprakisht, një ndër pikat kryesore të rendit të ditës, ishte shqyrtimi i Raportit të Komisionit për Rishqyrtim për procesin e emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit, të cilin anëtarët e KPK-së nuk e miratuan me rekomandimet e aprovuara pjesërisht nga ky Komision.

Rrjedhimisht, me mosmiratimin e të gjeturave të Komisionit për Rishqyrtim, KPK-ja, në zbatim të Rregullores nr.06/2019 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës, kaloi në procesin e votimit të kandidatit më të vlerësuar për ta propozuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, me ç’rast, pas votimit të fshehtë, rezultoi që Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, mori në mënyrë unanime 11 vota të anëtarëve të KPK-së.  

Ky vendim i Këshillit Prokurorial për propozimin e Isufajt në këtë pozitë do t’i dërgohet për dekretim Presidentes së Kosovës dhe pas dekretimit do të marrë zyrtarisht detyrën e tij.

KPK-ja, vlerësoi gjatë takimit të sotëm se, tërë procesi për emërimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, ka qenë objektiv, transparent, gjithëpërfshirës dhe i bazuar plotësisht në meritokraci.