Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

KPK dhe Ambasada e SHBA-së diskutojnë për projektet e reja të digjitalizimit të sistemit prokurorial në Kosovë

Prishtinë, 1 dhjetor 2021 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, ka pritur në takim përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Kosovë, të kryesuar nga Shawn Waddoups, Drejtor i Zyrës Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Çështje të Zbatimit të Ligjit.

Fillimisht, Kryesuesi Maloku, falënderoi Drejtorin Waddoups për mbështetjen e pakursyer të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, me theks të veçantë për donacionet e dhuruara në mënyrë të vazhdueshme dhe për financimin e gjashtë dhomave për intervistimin e të miturve në prokuroritë themelore të vendit. “Realizimi i këtyre projekteve, mbështetja e shumanshme dhe përkrahja sistematike e popullit amerikan dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes programeve të Ambasadës së saj në Kosovë, ka ndikuar drejtpërsëdrejti në ngritjen e efikasitetit dhe funksionalizmin e shumë proceseve të punës në sistemin prokurorial të Kosovës”, ka thënë Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku.

Gjatë këtij takimi u prezantuan projekte të reja, qëllimi kryesor i të cilave është digjitalizimi i plotë i proceseve të punës, duke transformuar procesin e punës manuale në atë elektronike, gjë që do të mundësojë vënin në dispozicion të shërbimeve digjitale për Këshillin Prokurorial dhe Prokurorin e Shtetit.

Nga ana tjetër, Drejtori i Zyrës Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Çështje të Zbatimit të Ligjit, Shawn Waddoups, u shpreh i kënaqur me përdorimin e pajisjeve të siguruara, të cilat ndikojnë në ngritjen e efikasitetit dhe efektivitetit të punës dhe, njëkohësisht, shprehu gatishmërinë e tij dhe të institucionit që përfaqëson, për ofrimin e mbështetjes së mëtejshme për sistemin prokurorial të Kosovës.

Në fund të  takimit, Kryesuesi Maloku ia ka dhuruar Drejtorit Waddoups emblemën e Këshillit Prokurorial të Kosovës  në shenjë falënderimi për angazhimin dhe kontributin dhënë sistemit prokurorial.