Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Fillon takimi vjetor i Nënkomitetit për Drejtësi, Liri dhe Siguri të KE-së

Prishtinë, 9 qershor 2021 – Zëvendëskryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Veton Shabani, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, prokurorë të prokurorive të vendit, Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të SKPK-së, Valdrin Krasniqi, si dhe përfaqësues të tjerë të KPK-së, morën pjesë përmes videokonferencës në takimin vjetor të Nënkomitetit për Drejtësi, Liri dhe Siguri të Komisionit Evropian, i cili mbështetet nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Në këtë takim, i cili do të vijojë edhe ditën e nesërme, është diskutuar për Strategjinë e sektorit të sundimit të ligjit, funksionimin e Këshillit Prokurorial dhe mekanizmave të tij llogaridhënës, sistemin elektronik të menaxhimit të rasteve dhe regjistrat e të dhënave, progresin në zbatimin e rekomandimeve për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe raportin final për zbatimin e konkluzioneve të takimit të vitit të kaluar të këtij nënkomiteti, që ndërlidhet me sistemin prokurorial.

Gjithashtu në takimin e sotëm morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë, zyrtarë të Komisionit Evropian dhe zyrtarë të Zyrës së BE-së në Kosovë.

Ndërkaq, pas përfundimit të të gjitha takimeve, Komisioni Evropian do të hartojë konkluzionet e reja, që dalin si rezultat i takimeve të mbajtura dhe ato që pritet të përmbushen dhe prezantohen në takimin e radhës.