Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Vlerësohet mbështetja holandeze për sistemin prokurorial

Prishtinë, 3 mars 2021 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jetish Maloku dhe Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo, kanë bërë hapjen e sesionit të dytë të trajnimit me temën: “Menaxhimi aktiv”, i cili po zhvillohet në kuadër të projektit holandez “Mbështetje për një sistem prokurorial të pavarur, profesional dhe të paanshëm në Kosovë”.

Me këtë rast, Kryesuesi Maloku ka falënderuar Ambasadoren Lobbezoo dhe përmes saj, edhe Mbretërinë e Holandës për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë dhe po jep për sistemin prokurorial të Kosovës.

Lidhur me këtë trajnim, Kryesuesi Maloku, tha se ka një rëndësi të veçantë në fuqizimin e kapaciteteve menaxhuese në sistemin prokurorial, ndërsa vlerësoi metodologjinë, formatin dhe profesionalizimin e trajnerit të këtij trajnimi.

Në fund të fjalës së tij, Kryesuesi Maloku ofroi bashkëpunimin e tij dhe të krejt stafit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për iniciativat e bashkëpunimit që mund të zhvillohen në të ardhmen me Mbretërinë holandeze.

Në anën tjetër, Ambasadorja Lobbezoo, tha së përmes mbështetjes holandeze synohet që sistemi prokurorial i Kosovës të fuqizohet me anë të trajnimeve, mësimeve dhe shkëmbimit të përvojave.

Lobbezoo, tha se është kënaqësi të mbështetet sistemi prokurorial i Kosovës, ndërsa vlerësoi organizimin online të trajnimit të sotëm.

Në trajnimin e mbajtur sot kanë marrë pjesë kryeprokurorë, prokurorë dhe udhëheqës të administratës së prokurorive.