Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbahet takimi i 169-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Prishtinë, 3 korrik 2019 – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur takimin e 169-të me radhë, i cili është udhëhequr nga Kryesuesi Bahri Hyseni, me ç’rast janë shqyrtuar dhe miratuar një sërë pikash të rendit të ditës. 

Rrjedhimisht, anëtarët e Këshillit Prokurorial kanë miratuar listën e anëtarëve të paneleve hetimore në përbërje prej 30 prokurorësh të shtetit, të cilët do të shërbejnë për të hetuar shkeljet e supozuara disiplinore. Po ashtu, Këshilli ka themeluar 4 panele hetimore për 4 raste, të cilat janë pranuar pas hyrjes në fuqi të Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Këto panele janë zgjedhur me short: paneli i parë ka mandat njëvjeçar, paneli i dytë - dyvjeçar dhe paneli i tretë ka mandat trevjeçar, panele këto, të cilat përbëhen nga tre anëtarë, si dhe janë zgjedhur edhe nga dy anëtarë rezervë për secilin panel.

Gjithashtu, Këshilli mori vendim që t’u lejohet dy prokurorëve vazhdimi i studimeve pasdiplomike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për vitin akademik 2019-2020 në Programin e bursave për arsimimin ligjor në Universitetin “Wake Forest University” në Karolinën e Veriut.

Këshilli në takimin e sotëm prezantoi edhe Raportin e Komisionit për Buxhet, Financa dhe Personel, të cilin e prezantoi Kryesuesja e këtij komisioni, Prokurorja Dëshirë Jusaj, si dhe Raportin e Komisionit Ad Hoc për shqyrtimin e kërkesës së ish-prokurorit Ali Rexha, të cilin e prezantoi Kryesuesi i tij, Prokurori Haxhi Sinanaj, me ç’rast është refuzuar kërkesa për kompensimin e shtesës të pagës bazë për periudhën sa ka qenë i suspenduar.

Në vijim është refuzuar si e palejuar Ankesa e Zëvendëskryerprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha, ndaj vendimit  për caktimin e Prokurorit Kujtim Munishi si Ushtrues i Detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ngaqë ndaj vendimeve të Këshillit nuk lejohet ankesë, sepse ato janë përfundimtare.

Në fund të takimit, Këshilli ka marrë vendim për miratimin e Raportit të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së një prokurori, kurse Kryesuesi Bahri Hyseni ka njoftuar se më 27 qershor 2019 ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Qendrën për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (CILC), qëllimi i të cilit është bashkëpunimi për promovimin e një sistemi të pavarur dhe të paanshëm të ndjekjes penale përmes avancimit të bashkëpunimit me media dhe rritjes së kapacitetit administrativ dhe efikasitetit të Këshillit. Ky memorandum do të fillojë së zbatuari më 1 shtator 2019 dhe do të zgjasë për një periudhë prej njëzet muajsh në kuadër të Projektit “Mbështetje për një sistem prokurorial të pavarur, profesional dhe të paanshëm” të Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Kosovë.