Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Prezantohet Raporti i Projektit SMIL për periudhën janar-qershor 2019

Prishtinë, 30 korrik 2019 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, ka marrë pjesë në takimin e Bordit Drejtues të Projektit të Sistemit Informativ për Menaxhimin e Lëndëve (SMIL), në të cilin morën pjesë Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Skënder Çoçaj dhe drejtorët e përgjithshëm të sekretariateve të dy Këshillave.

Qëllimi i takimit ishte prezantimi i aktiviteteve dhe të arriturave të Projektit të Sistemit Informativ për Menaxhimin e Lëndëve, por edhe sfidave përgjatë periudhës gjashtëmujore janar-qershor 2019 në gjykatat dhe prokuroritë e Republikës së Kosovës.

Në takim janë diskutuar parametrat e realizuar të regjistrimit të lëndëve të vjetra nëpër secilin regjion, pastaj ofrimi i përkrahjes dhe realizimi i trajnimeve për përdorimin e SMIL-it, si dhe përgatitjet që po bëhen për largimin e regjistrave, ngritjen e kapaciteteve të zyrtarëve të teknologjisë informative dhe aprovimin e akteve për përdorimin e SMIL-it në gjykata dhe prokurori.

Rrjedhimisht, në përmbyllje të takimit, anëtarët e Bordit Drejtues të Projektit të Sistemit Informativ për Menaxhimin e Lëndëve (SMIL) janë shprehur të kënaqur me trendët e zbatimit të këtij sistemi, duke kërkuar përqendrim më të madh dhe përshpejtim të procesit të punës për regjistrimin e lëndëve të vjetra dhe largimin e regjistrave manualë.