Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbahet takimi i 184-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Prishtinë, 31 gusht 2020 –  Nën masat e mbrojtjes nga pandemia dhe përmes komunikimit në distancë, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga kryesuesi i tij, Bahri Hyseni, ka mbajtur takimin e 184-të me radhë.

Në fillim të këtij takimi është mbajtur një minutë heshtje me rastin e vdekjes së ish-Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ali Selimaj dhe Prokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Esat Ademi.

Po në fillim të këtij takimi, betimin para anëtarëve të KPK-së e ka dhënë anëtari më i ri, Agron Beka, i cili është zgjedhur nga Kuvendi i Republikës së Kosovës si anëtar i Këshillit nga radhët e fakulteteve juridike.

Takimi i 184-të ka vazhduar me shqyrtimin dhe miratimin e Raportit “Gjeografia e krimit 2013-2019”, raport ky, i cili u prezantua nga anëtari i KPK-së, Arben Ismajli.

Po ashtu, sot, Këshilli ka shqyrtuar dhe miratuar Raportin e Komisionit për Buxhet, Financa dhe Personel, raport ky, i cili u prezantua nga kryetarja e këtij komisioni, Dëshirë Jusaj. Lidhur me këtë temë, kryesuesi Hyseni, ka thënë se buxheti i sistemit prokurorial të Kosovës është shkurtuar edhe për kundër shumë kërkesave dhe arsyetimeve që të mos bëhet shkurtimi i tij.

Ndërsa, Këshilli ka emëruar si ushtrues të detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjakovës deri në zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri, Zëvendëskryeprokurorin e kësaj prokurorie, Ali Uka.

Këshilli gjatë këtij takimi ka marrë vendim për shpallje të brendshme për avancim të tre (3) prokurorëve në Prokurorinë e Apelit, si dhe ka miratuar pjesërisht Raportin e Komisionit për vlerësimin e performancës së 7 prokurorëve, ku për 2 nga këta prokurorë ka marrë vendim që të bëhet rivlerësimi nga ana e komisionit.