Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

KPK miraton një sërë aktesh të rëndësishme institucionale

Prishtinë, 21 korrik 2020 - Nën masat e mbrojtjes nga pandemia dhe përmes komunikimit në distancë, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga kryesuesi i tij, Bahri Hyseni, ka mbajtur Takimin e 183-të me radhë.

Fillimisht, anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës kanë mbajtur një minutë heshtje në nderim të jetës dhe veprës së prokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Ismet Ukshini, i cili  vdiq këtë fundjavë nga virusi COVID-19.

Pas kësaj është proceduar me rendin e rregullt të ditës, me ç’rast janë miratuar Rregullorja për administrimin e lëndëve përmes sistemit elektronik në Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave dhe Udhëzimi administrativ për menaxhimin e shpenzimit të parasë publike në sistemin prokurorial të Kosovës.

Po ashtu, KPK-ja në vijim ka miratuar edhe dy raporte:

  • Raportin për periudhën janar-mars 2020 të Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike dhe
  • Raportin për vlerësimin e performancës së dy prokurorëve me mandat fillestar, emrat e të cilëve do të dërgohen te Presidenti për dekretim të mandatit të përhershëm.

Gjatë këtij takimi janë miratuar edhe procedurat standarde për zhvillimin e hetimeve dhe ndjekjes penale të trafikimit të njerëzve, ndërsa një (1) prokurori nga Prokuroria Themelore e Ferizajt në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës iu ka vazhduar transferimi edhe për një vit, ndërsa në kuadër të katër proceseve të avancimit të prokurorëve janë avancuar prokurorët, si vijon:

  • Dy (2) prokurorë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin e Krimeve të Rënda të kësaj prokurorie,
  • Një (1) prokurore e Prokurorisë Themelore në Ferizaj nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin për të Mitur të kësaj prokurorie,
  • Një (1) prokurore e Prokurorisë Themelore në Ferizaj nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin për Krime të Rënda të kësaj prokurorie dhe
  • Një (1) prokuror i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin për të Mitur të kësaj prokurorie.

Në përfundim është mbajtur një seancë dëgjimore për procedurën disiplinore ndaj një (1) prokurori të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.