Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbahet tryezë pune për zbatimin e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve

Prishtinë, 8 nëntor 2019 – Kryesuesi i Këshilli Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, së bashku me Zëvendëskryesuesin Arben Ismajli, si dhe anëtarët e Këshillit Prokurorial, kryeprokurorët e të gjitha prokurorive, prokurorë – anëtarë të paneleve hetimore dhe Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit, kanë marrë pjesë në një tryezë pune për implementimin e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilën e ka organizuar Ambasada Amerikane në Prishtinë, me ç’rast morën pjesë edhe Kryesuesi i KGJK-së, anëtarët e Këshilli Gjyqësor, kryetarët e gjykatave dhe gjyqtarë – anëtarë të paneleve hetimore.

Qëllimi i mbajtjes së kësaj tryeze të punës ishte diskutimi i interpretimit të dispozitave të Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe zbatimi praktik i tij dhe rregulloreve, si dhe shqyrtimi i sfidave kryesore me rastin e disiplinimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Fillimisht, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, prezantoi një përmbledhje lidhur me zhvillimin e procedurave aktuale disiplinore ndaj prokurorëve, me ç’rast theksoi se edhe përkundër dilemave, Këshilli Prokurorial ka arritur që prej hyrjes në fuqi të këtij ligji të themelojë 10 panele hetimore, ku prej tyre janë mbajtur pesë seanca dëgjimore në Këshill dhe janë marrë vendimet përkatëse, ndërsa dy seanca të tjera pritet të mbahen në takimin e radhës së Këshillit.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, kanë thënë se vlerësimi i praktik i zbatimit të Ligjit për përgjegjësinë disiplinore për gjyqtarë dhe prokurorë është rezultat i kërkesës së vazhdueshme për ngritjen e performancës së mekanizmave vlerësues të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Në përfundim të kësaj tryeze të punës u kërkua njëzëri që të mbahet edhe një tryezë tjetër e karakterit të tillë, në të cilën do të themelohet një grup i përbashkët për hartimin e udhëzuesit praktik për zbatimin e këtij ligji, në mënyrë që të ketë më shumë qartësi për procedurat për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.