Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Avancimi i komunikimit, temë e diskutimit të Grupit punues për zhvillim institucional

Prishtinë, 21 nëntor 2019 – Gjetja dhe krijimi i një kornize të përbashkët veprimi për avancimin dhe fuqizimin e shërbimeve të komunikimit të brendshëm dhe të jashtëm ishte në fokus të takimit të radhës të përfaqësuesve të KPK-së me përfaqësuesit britanikë të projektit “Forcimi i sistemit gjyqësor në Kosovë”, i cili u mbajt në kuadër të Grupit punues për zhvillimin institucional të sistemit prokurorial.

Në këtë takim, në të cilin morën pjesë Kryesuesi i Komisionit për Çështje Normative, Zejnullah Gashi, Kryesuesja e Komisionit për Administrimin e Prokurorive, Radica Miliq, Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, Drejtori i Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorive, Valon Jupa, Konsulenti për Marrëdhënie me Publikun i UNDP-së, Fadil Miftari, si dhe stafi profesional i Këshillit, është diskutuar metodologjia konkrete e ngritjes së komunikimit publik në përputhje me zhvillimet dhe orientimet e nevojshme të së ardhmes.   

Grupi punues vuri në dukje nevojën e orientimit të qartë strategjik të komunikimit të brendshëm, i cili pastaj do të jetë në shërbim të komunikimit të jashtëm publik. Në këtë kontekst janë trajtuar idetë e një koncepti të ri, me qëllim të ngritjes së performancës së sistemit prokurorial përfshirë pashmangshëm bashkëpunimin me mediat dhe shoqërinë civile.  

Ky takim ishte i dyti me radhë, ndërkohë që procesi do të vazhdojë me përafrimin e ideve dhe kreativitetit sa i përket komunikimit publik që do të jetë në shërbim të fuqizimit të transparencës dhe komunikimit interaktiv me publikun