Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryesuesi i KPK-së, Hyseni, merr pjesë në takimin e dytë rajonal të koordinimit kundër trafikimit të armëve

Tiranë, 21 nëntor 2019 - Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, ka marrë pjesë në Takimin e Dytë të Koordinimit Rajonal në Tiranë për zbatimin e Udhërrëfyesit për një zgjidhje të qëndrueshme për mbajtjen e paligjshme, keqpërdorimin dhe trafikimin e armëve të vogla dhe të lehta dhe municioneve të tyre në Ballkanin Perëndimor deri në vitin 2024, eveniment ky i financuar nga Bashkimi Evropian.

Rrjedhimisht, në këtë takim, në të cilin kanë marrë pjesë përfaqësues të BE-së, Këshillit për Bashkëpunim Rajonal dhe ministrive të punëve të brendshme të shteteve të Evropës Juglindore dhe Lindore, janë diskutuar çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin e këtij udhërrëfyesi.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, duke folur për zbatimin e këtij udhëzuesi rajonal për armët, ka theksuar rëndësinë e Mekanizmit përcjellës për veprat penale karakteristike, përfshirë këtu edhe armët, duke thënë se në bazën e të dhënave të Sistemit Informativ për Menaxhimin e Lëndëve (SMIL) regjistrohen të gjitha informatat, përfshirë kallëzimet penale “PP” dhe informatat “PPN” për veprat penale karakteristike dhe personat e përfshirë në to. Ndërkaq, Këshilli Prokurorial ka të caktuar një prokuror si pikë kontakti sa i përket bashkëpunimit në luftimin e veprave penale që ndërlidhen me armët.

Nga ana tjetër, në sesionin e parë dhe të dytë kanë mbizotëruar diskutimet për vlerësimin e progresit, sfidave dhe nevojave të vendeve pjesëmarrëse, si dhe është bërë prezantimi i planit të veprimit, përfshirë përparimin në qëllimet e përcaktuara dhe nevojat e identifikuara.

Po ashtu pjesëmarrësit janë zotuar që mekanizmat kombëtarë dhe ndërkombëtarë do të angazhohen fuqishëm për të siguruar një mbështetje të planifikuar për zbatimin e këtij udhëzuesi, si dhe për monitorimin e implementimit të gjetjeve rajonale, si dhe prezantimin e vazhdueshëm të treguesve kryesorë të performancës së këtij udhërrëfyesi.