Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Reagimi me kohë dhe luftimi i lajmeve të pasakta, në fokus të trajnimit të kryeprokurorëve, prokurorëve dhe zyrtarëve për komunikim publik

Pejë, 30 nëntor 2019 – Reagimi me kohë dhe luftimi i lajmeve të pasakta, si dhe përforcimi i rolit të përgjithshëm Prokurorisë së Shtetit në marrëdhëniet me publikun, ishin në fokus të trajnimit dyditor, i cili bashkoi kryeprokurorë, prokurorë, zyrtarë të komunikimit publik dhe zyrtarë të tjerë të sistemit prokurorial të Kosovës. Në këtë trajnim ishin të pranishëm edhe Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni dhe Drejtor i Përgjithshëm i Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi.

Ky trajnim është organizuar nga “Internews Kosova” në bashkëpunim me Këshillin Prokurorial dhe Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit në kuadër të Projektit “Përkrahje për përpjekjet kundër korrupsionit në Kosovë – SAEK2”, me ç’rast folësit kryesorë ishin Drejtori i “Internews Kosova”-s, Faik Ispahiu, autori dhe redaktori i “Drejtësia në Kosovë”, Kreshnik Gashi  dhe anëtari i Bordit të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, Labinot Leposhtica.

Gjatë zhvillimit të sesioneve të këtij trajnimi u diskutua edhe përdorimi i pashmangshëm i rrjeteve sociale, zbatimi praktik i Rregullores së re për shërbimin e komunikimit publik, zgjidhja dhe adresimi i sfidave ditore, kurse tema të tjera me interes ishin krijimi i planit për komunikim publik dhe paraqitjet publike të prokurorëve, simulimi i paraqitjeve publike, analizimi dhe mësimi nga gabimet.

Pjesëmarrësit e trajnimit janë pajtuar që në të ardhmen të zhvillojnë diskutime të tjera për nevojën e ndryshimit të praktikave dhe zhvillimit të kapaciteteve për identifikimin e resurseve shtesë të komunikimit publik në Këshillin Prokurorial dhe institucionin e Prokurorit të Shtetit.