Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Publikohet Doracaku për procedurat e ndërmjetësimit

Prishtinë, 30 janar 2020 – Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim me UNDP-në publikuan sot Doracakun për procedurat e ndërmjetësimit alternativ gjyqësor për zgjidhjen e kontesteve mes palëve, me ç’rast morën pjesë Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, Kryesuesi i KGJK-së, Skender Çoçaj, prokurorë, gjyqtarë, përfaqësues të tjerë të sistemit të drejtësisë dhe ambasadave në Kosovë.    

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, gjatë fjalës së tij, ka thënë se Doracaku për procedurat e ndërmjetësimit do të jetë një dokument i rëndësishëm, të cilin prokurorët, gjyqtarët dhe stafi profesional do ta kenë para vetes përditë, ngaqë ofron qasje të lehtë për zgjidhjen praktike të konflikteve dhe mosmarrëveshjeve në procedurë jashtëgjyqësore, garanton zvogëlim të lëndëve dhe funksionim më efikas të sundimit të ligjit, si dhe avancim më të madh të kësaj procedure në funksion të zgjidhjes së rasteve penale dhe civile në Kosovë”.   

Në këtë kontekst, edhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Skënder Çoçaj, ka vlerësuar lart rolin dhe rëndësinë e publikimit të këtij doracaku, duke thënë se procedurat e ndërmjetësimit do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në ngritjen e efikasitetit, përmirësimin e performancës dhe imazhit të sistemit gjyqësor, rritjen e besueshmërisë së publikut, si dhe ofrimin e zgjidhjeve alternative më të lehta dhe më të shpejta për qytetarët, duke përmirësuar dukshëm sistemin gjyqësor.

Po ashtu, autori i Doracakut, Prokurori në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka folur rrjedhimisht për përmbajtjen, sfidat me te cilat është ballafaquar gjatë punës, identifikimin e çështjeve kryesore dhe zbatimin praktik të këtij akti nënligjor, duke cekur se risi të veçantë përfshirjen e dhunës në familje.   

Nga ana tjetër, në vijim të takimit që iu kushtua këtij doracaku, hartimi dhe publikimi i të cilit është mbështetur nga UNDP-ja dhe financuar nga Ambasada e Norvegjisë në Kosovë, është zhvilluar një debat për implementimin e tij në institucionet gjyqësore dhe prokuroriale, me ç‘rast folësit janë zotuar se do të tejkalojnë vështirësitë dhe sfidat eventuale, duke ofruar mbështetjen e pakursyer për përdorimin e tij në funksion të lehtësimit të procedurave alternative.