Kryeprokurori i Shtetit, z. Ismet Kabashi, u takua me shefin e zyrës së UNICEF-it z. Johannes Wedenig
Prishtinë, 9 qershor 2011 – Me qëllim të rritjes së bashkëpunimit në mes prokurorëve dhe UNICEF-it, sot kryeprokurori i Shtetit dhe njëherësh kryetari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Ismet Kabashi priti në takim një delegacion nga UNICEF-i, i kryesuar nga z. Johannes Wedenig, shef i zyrës së UNICEF-it.
Në këtë takim me theks të veçantë u diskutua për sistemin e reformave të drejtësisë për të mitur në Kosovë.
Kryeprokurori Kabashi i njoftoi mysafirët me prioritetet dhe me synimet që ka si kryeprokuror i Shtetit dhe si kryetar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, duke theksuar se lëndët që kanë të bëjnë me të miturit nga prokurorët e të gjitha niveleve shqyrtohen si lëndë me shumë prioritet.
Gjithashtu, kryeprokurori Kabashi njoftoi se në secilën prokurori janë të caktuar prokurorët e veçantë që punojnë në lëndët që kanë të bëjnë me të miturit dhe shumë shpejtë do ta caktoj edhe një prokuror në kuadër të Prokurorisë së Shtetit, i cili do t’i koordinoj punët me lëndët ku të miturit janë të dyshuar, viktima apo dëshmitarë.
Të dyja palët shprehën bindjen se do të vazhdojnë angazhimin e tyre për bashkëpunim edhe më të ngushtë dhe të sinqertë në mes prokurorëve vendës dhe UNICEF-it.