Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Njoftim për media lidhur me raportet e auditmit

Prishtinë, 30 qershor 2016/  Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit informon opinionin publik se Prokurori i Shtetit merret me ndjekjen penale të veprimeve, të cilat janë të inkriminuara me ligj si vepra penale dhe për të cilat është paraparë sanksioni penal e jo edhe me shkelje të procedurave administrative.

Raporti i auditimit mund të paraqet burim të rëndësishëm për fillimin e hetimit nga Prokuroi i Shtetit, mirëpo jo secili raport.  Prokurori i Shtetit nuk është institucion, i cili zgjidh rastet e keqmenaxhimit apo shkeljeve administrative, por ky institucion merret vetëm me ato raste, ku ka gjetje për dyshim se është kryer ndonjë vepër penale, e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare.

Në raste kur Auditori i Përgjithshëm gjatë procesit të auditimit evidenton ndonjë rast ku ka bazë për dyshim se është kryer ndonjë vepër penale, Auditori i Përgjithshëm është në obligim që  ta zbatoj nenin 78 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës, i cili detyron të gjitha organet publike që t’i paraqesin veprat penale që ndiqen sipas detyrës zyrtare e për të cilat janë informuar ose kanë marrë dijeni gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Në rastin e paraqitjes së kallëzimit penal organet publike duhet të paraqesin edhe prova që janë të njohura për ta dhe duhet të ndërmarrin masa për t’i ruajtur gjurmët e veprave penale dhe provat tjera.  Mos përmbushja e këtij obligimi paraqet vepër penale: “Moslajmërimi i veprës penale apo kryesve të tyre” .  

Prandaj, Prokurori i Shtetit pret nga Auditori i Përgjithshëm që ashtu siç është i detyruar, për të gjitha rastet që gjatë procesit të auditimit ka gjetur elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale, ta informoj Prokurorin e Shtetit, ndërkaq, prokuroria të gjitha informatat e pranuara do t’i shqyrtoj duke vepruar në kuadër të kompetencave që ka.

Prokurori i Shtetit pret nga Auditori i Përgjithshëm, si dhe nga çdo individ tjetër, që gjatë prononcimeve të tyre publike, ta ketë parasysh obligimin e tyre ligjor për ta raportuar veprën penale, si dhe ta interpretojnë drejt nenin 109 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili shumë qartë përcakton se Prokurori i Shtetit është institucion i pavarur me autoritet dhe përgjegjësi për ndjekje penale të personave të dyshuar për ndonjë vepër penale. Në përmbushjen e kësaj detyre Prokurori i Shtetit kërkon informim të drejtë dhe bashkëpunim  me të gjitha organet publike, të cilat në bazë të ligjit detyrohen që Prokurorit të Shtetit t’i japin ndihmën e nevojshme për çështjet që kanë të bëjnë me hetimin e veprave penale.

Prokurori i Shtetit pret që Auditorin e Përgjithshëm ta ketë partner në zbulimin e veprave penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare dhe shpërdorimit të buxhetit të Republikës së Kosovës, në mënyrë që t’i përmbushim obligimet kushtetuese dhe ligjore.